




Në sfondin i luftës Ukrainë -Rusi dhe parashikimeve për rrezikun e një agresioni eventual të Serbisë mbi territorin e Republikës së Kosovës, Asambleja Parlamentare e NATO-s, po mban punimet e saj në Prishtinë.
Asambleja Parlamentare e NATO-s në Prishtinë sinjal për Serbinë?
Lidhur me atë se a mund të cilësohet kjo ngjarje si një sinjal i NATO-s dërguar Serbisë, se Kosova është kuadër i aleancës veri- atlantike dhe se çdo agresion i mundshëm i Serbisë mbi Kosovën do të merr përgjigje nga NATO, në një prononcim për Insajder ka folur njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi.





Ai tha se Kosova nuk është zgjedhur rastësisht të jetë nikoqire e kësaj asambleje.
“Është e qartë, ata nuk e kanë zgjedhë rastësisht Kosovën. Misioni i Brukselit është që të forcohet prezenca e NATO-së edhe formalisht, jo vetëm që NATO të jetë në Kosovë por edhe Kosova të jetë në NATO – kjo e shton presionin e bën Serbinë të vetmuar, ajo është e vetmuar nga të gjitha anët” – tha Maliqi.
Tutje, Maliqi theksoi se: “Kosova ka me qenë në NATO, kjo dihet qartë dhe po e pranon edhe vet Beogradi“.





Derisa, lidhur me mbarëvajtjen dhe peshën e kësaj ngjarjeje për Kosovën, për Insajderin është prononcuar edhe kryesuesi i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni.
Hyseni tha se kjo konferencë e konfirmon mbështetjen e vendeve anëtare për rrugëtimin e qartë të Kosovës drejt të qenurit anëtare e NATO-s.





“Kosova po e tregon seriozitetin dhe përkushtimin në procesin e integrimit në strukturat veri atlantike, andaj edhe kjo konferencë e organizuar në Prishtinë, e konfirmon mbështetjen e vendeve anëtare për rrugëtimin e qartë të Kosovës drejt të qenurit anëtare e NATO-s” – tha ai.
Ai tutje theksoi se siguria e rajonit, por në veçanti e Kosovës u shtjellua dje gjatë sesioneve.





“E rëndësishme të fokusohet vëmendja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në sigurinë e rajonit por edhe në veçanti e Kosovës, gjë e cila dje u shtjellua gjatë sesioneve” – tha Hyseni.
Disa nga temat që do të diskutohen në këtë seminar janë: Mbështetja e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në Kosovë; Reforma e sektorit të sigurisë në Kosovë;





Hapat e ardhshëm për rajonin në procesin e integrimit në BE; Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor; Forcimi i shtetit ligjor dhe luftimi i korrupsionit, etj.
Ndryshe, mbi 100 pjesëmarrës nga parlamentet e vendeve anëtare e partnerë të NATO-s dhe ekspertë të shumtë ndërkombëtar do të marrin pjesë.