Të dielën në Therandë, ministri i Bujqësisë Faton Peci së bashku me përfaqësues të Shoqatës së Kultivuesve të Arrës dhe Lajthisë, shënuan “Ditën e Arrës”.
Ai thotë se përmes subvencioneve, është rritur mbështetja për këtë kulturë, ndërsa synohet që përmes përkrahjes së vazhdueshme të rritet prodhimtaria vendore të të gjitha frutave arrore në përgjithësi.
“Si arra ashtu edhe lajthia janë produkte strategjike për vendin tonë pasi që kultivimit të tyre i përshtaten kushtet klimatike dhe relievit që Kosova posedon, e në këtë mënyrë do të angazhohemi vazhdimisht që asnjë pëllëmbë e destinuar për këto kultura të mos mbetet e pa-mbjellur, qoftë përmes granteve apo subvencioneve”, shtoi ministri, përcjell Telegrafi.
Ministri i Bujqësisë thotë se kjo do të arrihet duke hartuar programe që favorizojnë bujqit meritorë pasi sipas tij këto kultura kanë përparësi edhe në tregun e jashtëm.
Reklama
“Nga 15 hektarë të mbjelluara me arra, në plantacionin e Avni Gashit në vitin e tyre te katërt të mbjelljes, rendimenti ishte rreth 10 tonë”, ka treguar tutje Peci një histori suksesi.
“E duke parë këtë rezultat, përpos që do të arrijmë t’i plotësojmë nevojat e tregut vendor, poashtu do të kemi mundësi t’i eksportojmë, qoftë si lëndë të parë, ashtu edhe të përpunuara”, shton tutje ministri i Bujqësisë./Telegrafi/