Serbia do të ndërtojë një naftësjellës që do ta lidhë me burimet natyrore ruse, duke shmangur kështu masat kundër Kremlinit të vendeve perëndimore, dhe në të ardhmen një naftësjellës alternativ që kalon nga Maqedonia e Veriut dhe përfundon në Durrës.
Lajmin e dha presidenti serb Aleksander Vucic këtë të shtunë kur ai ju drejtua popullit, duke sqaruar një seri masash dhe vendimesh që kishte paralajmëruar si të rëndësishme disa ditë më parë.
Naftësjellësi i parë, me kosto fillestare rreth 100 milionë euro, do të kalojë përmes Hungarisë, një nga aleatët e pakët europian të Rusisë, dhe do të jetë i gjatë rreth 128 kilometra.
Vendimi u mor nga autoritetet serbe pasi Kroacia ka pezulluar furnizimin me naftë ruse si pjesë e masave kundër pushtimit të Ukrainës.
Por ndërtimi i këtij naftësjellësi që niset në Novi Sad drejt kufirit hungarez, është vetëm maja e ajsbergut të një plani energjetik më ambicioz, me vlerë rreth 12 miliardë dollarë, ku Beogradi ka në plan edhe ndërtimin e një naftësjellësi që përfundon në portin e Durrësit dhe një rafineri për naftën e Venezuelës, një nga partnerët e piketuar nga Beogradi për furnizimin me naftë.
Sipas Vucic, vendi ka rezerva nafte vetëm për 75 ditë, si dhe 200 mijë ton naftë bruto./a2cnn