Bursa e kriptomonedhave Binance pezulloi rrjetin e saj blockchain ditën e Premte pasi hakerët arritën të vidhnin më shumë se 100 milionë dollarë në Binance Coin (BNB).
Binance tha se një urë në Binance Smart Chain u vu në shënjestër dhe hakerët arritën të transferonin monedhat BNB jashtë rrjetit.
Urat ndërzinxhir janë mjete të cilat lejojnë transferimin e kriptomonedhave nga një blockchain në një tjetër.
Kompania tha se kishte punuar me vërtetuesit e transaksioneve për të ndërprerë krijimin e blloqeve të reja në BSC duke ndërprerë përpunimin e të gjitha transaksioneve ndërsa zhvilluesit hetojnë ngjarjen.
Hakimin e konfirmoi edhe CEO i Binance Changpeng Zhao. “Problemi është adresuar tashmë dhe fondet tuaja janë të sigurta. Kërkojmë ndjesë për ndërprerjen dhe do të ofrojmë më shumë informacion në vijim,” shkruante në Twitter.
Mes 100 deri në 110 milionë dollarë në BNB janë vjedhur. Kompania arriti të ngrinte 7 milionë dollarë fonde me ndihmën e partnerëve të sigurisë.
Vlera e BNB ra me 3% ditën e Premte në 285.36 dollarë sipas CoinMarketCap.
Binance Smart Chain është një rrjet i zhvilluar nga Binance në 2019-ën. Njëlloj si blockchainet e tjera, ka një token quajtur BNB që mund të tregthet apo të përdoret në lojëra dhe aplikacione. Që nga fillimi i vitit më shumë se 1.4 miliardë dollarë në kriptomonedha janë vjedhur në incidente sigurie sipas Chainalysis. /PCWorld Albanian