Presidentja Osmani beson se kthesa për liberalizimin e vizave për Kosovën u bë ‘pikërisht’ në Samitin e BE-së, ku ajo mori pjesë.
Gjatë qëndrimit në Pragë, në Samitin inaugurues të Bashkësisë Politike Evropiane, Presidentja Osmani thotë se kthesa për vizat u bë në takimin, në kuadër të Samitit të Bashkimit Evropian, ku ajo mori pjesë, më 23 qershor.
Osmani thotë se aty ka diskutuar me liderë evropianë që ishin hezitues në lidhje me heqjen e vizave për Kosovëën.
“Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues”, tha Presidentja në një intervistë për Radion Evropën e Lirë.
Për klimën e krijuar, përgjithësisht, Presidentja i lë meritat reformave që, sipas saj, janë bërë që një vit e gjysmë në Kosovë dhe momentumit të ri të krijuar në Evropë.
“Kjo, në masë të madhe, është edhe [për faktin] se është krijuar një momentum i ri në Evropë – ku BE-ja dëshiron t’i kryejë detyrat e veta, sa u përket shteteve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe e sheh këtë edhe si interes strategjik të vetë saj – por, mbi të gjitha, për shkak të reformave që janë ndërmarrë në këtë një vit e gjysmë në fushën e sundimit të ligjit”, tha Osmani.
“Pra, të gjitha këto përmenden si argumente kryesore përse BE-ja dëshiron që të japë një sinjal pozitiv, një dritë të gjelbër në raport me Kosovën në veçanti, por edhe me rajonin në përgjithësi”, shton ajo.
Presidentja thotë se gjatë qëndrimit të saj në Pragë ka takuar mbi 25 liderë, disa prej të cilëve me ndikim për heqjen e vizave për Kosovën. Thotë se nga të gjithë ka marrë përkrahje.