Pasi Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të njohur si OPEC+, vendosën të ulin prodhimin e naftës me dy milionë fuçi në ditë duke filluar nga nëntori, demokratët në Kongresin amerikan propozuan një projekt-ligj për tërheqjen e trupave amerikane nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Projektligji i paraqitur nga tre demokratë, thotë se aktualisht në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndodhen rreth 5000 trupa amerikane dhe theksohet se këto trupa duhet të tërhiqen brenda 90 ditëve pas miratimit të ligjit, si dhe Sistemet e mbrojtjes ajrore të vendosura në rajon si Patriot dhe THAAD duhet të tërhiqen.
“Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë mbështetur në praninë ushtarake amerikane për vite me radhë për sigurinë e tyre personale dhe fushat e naftës. Edhe pse këto vende po punojnë në mënyrë aktive kundër nesh, ne nuk shohim arsye për të ruajtur praninë tonë ushtarake atje”, thanë përfaqësuesit që përgatitën projektligjin.
Ata theksuan se ky vendim paraqet një pikë kthese në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Gjirit.
“Nëse Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duan të ndihmojnë (Presidentin rus Vladimir) Putin, ata duhet të kujdesen edhe për veten e tyre në aspektin e mbrojtjes”, thanë përfaqësuesit e SHBA.
Projektligji u nënshkrua nga përfaqësuesi i Illinois, Sean Casten, përfaqësuesi demokrat i Nju Xhersit, Tom Malinowski dhe përfaqësuesja e Pensilvanisë, Susan Wild.
Projektligji fillimisht duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe më pas nga Senati, pas së cilës duhet të marrë miratimin e presidentit amerikan Joe Biden.