Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, ka treguar se tashmë ajo i ka kërkuar ministrin Hekuran Murati t’i lëshojë pagat në avans për mësimdhënësit.
Në një postim, e ku tregonte për kalendarin e ri shkollor, Nagavci e ka arsyetuar një kërkesë të tillë, duke thënë se shumë mësimdhënës janë vënë në lajthitje.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është e përkushtuar për zbatimin e Ligjit për Grevën, i cili përveç tjerash parasheh edhe pezullimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve nga kontrata e punës, përfshi edhe të drejtën e pagës për ditët e grevës.
Megjithatë, duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor.”, shkroi ajo në Facebook.
Kjo mund të nënkuptojë se Qeveria e Kosovës do të fillojë procedimin e pagesave për mësimdhënësit, por duke i kushtëzuar që të punojnë sipas planit të saj për kompensimin e orëve të humbura.