Kurti pret shiritin e një fabrike private, kujton sfidat që solli pandemia: Përdornim gota të letrës, jo të porcelanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë sot pjesë në përurimin e një fabrike të re për prodhimin e letrës në Besi të Prishtinës. Kurti ka thënë se ky është një investim i ri.

“Pikërisht ajo që i duhet ekonomisë tonë. Prodhim, investim. Investim në prodhim”, është shprehur kryeministri para të pranishmëve në këtë ceremoni.

Sipas ZKM, duke folur për sfidat që kriza shëndetësore solli te bizneset, gjatë fjalës së tij, Kurti ka rikutjuar për udhëzimet për mbrojtje nga pandemia, duke nisur nga mbajtja e distancës, higjienës, dhe maskave, por edhe që në vend të gotave të xhamit e të porcelanit, të përdoreshin gotat njëpërdorimshme të letrës.
“E sot po përurojmë hapjen e një fabrike të prodhimit të gotave prej letre. Vlera investive kalon shifrën mbi një milion euro me synim të rritjes së potencialit prodhues në të ardhmen. Pandemia ndër të tjera na pati shpërfaqur një defekt serioz të ekonomisë tonë; varësinë nga importi, dhe mungesën e prodhimtarisë vendore, por sikurse ndërmarrësit që shohin shasin në vështirësi edhe qeveritë duhen që në kriza si ajo e pandemisë të shohin mundësi për reforma’’, ka thënë Kurti.

Ndonëse i kritikuar për lëvizje të ngathëta në përkrahje të bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi, Kurti ka thënë se pas pandemisë fokusi i Qeverisë ka qenë drejt riorientimit të ekonomisë në drejtim të prodhimtarisë vendore, duke përmendur edhe masat mbështetëse për bizneset në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Kryeministri uroi pronarët e kësaj fabrike për këtë investim, bëri thirrje që edhe të tjerët të investojnë në prodhimtari. Pas fjalës, kryeministri mori pjesë në prerjen e shiritit dhe vizitoi ambientet e fabrikës ku prodhohet letra dhe gotat e letrës për tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm”, thuhet në fund të njoftimit.