




Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka cilësuar temën e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si “temë të nxehtë”, në dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t’i japë propozimet e saj, sa i përket formimit të Asociacionit, teksa ka theksuar se për të është mjaft e qartë se nuk do të ketë mundësi që në Kosovë të krijohet një “Republika Srbska”, e ngjashme me atë në Bosnjë e Hercegovinë.





“Këtë e ka thënë edhe i dërguari im special për Ballkanin kur ishte në Beograd të premten, dhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është obligim kontraktues i Kosovës, i ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe kur thashë më parë se çështja e targave dhe kartave të identitetit është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, kështu është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Pra, Kosova duhet të veprojë për këtë dhe ju e dini, sa më shpejtë të vendosë diçka në tavolinë që është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, aq më shumë do të çmitizojë dhe relaksojë bisedën”, ka thënë ai për RTV Dukagjini.
Tutje, Rohde ka thënë se nëse Kosova do të ketë propozime, do të jetë më e lehtë arritja e një marrëveshjeje me Serbinë, sipas tij, duke thënë “jo, nuk është një rrugëdalje”.
Ambasadori i Gjermanisë ka thënë se Kosova e ka obligim ta formojë Asociacionin, sepse sipas tij, ajo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.