Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit për mosekzekutimin e pagave të punëtorëve të sektorit të arsimit. Ajo referuar historisë thotë se “sa me e thellë bëhet heshtja, aq më shumë trimërohen autokratët”.
Sipas Deliut, Kurti “nuk e ka kuptuar fitoren e tij elektorale”, duke shtuar se “Kurti mendon se shoqëria duhet manipulohet”, thotë Deliu.
“Kurti, kurrë s’e kupton fitoren e tij elektorale si besim të fituar nga qytetarët, por si aftësi personale për të manipuluar një shoqëri që sipas tij, meriton të manipulohet, sepse janë thjesht një “masë analfabetësh”. As nuk u’a njeh punën, as nuk u’a respekton mirëqenien”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Historia është e mbushur me shembuj të megallomanëve të tillë, si i kanë katandisur popujt e vendet e tyre. Por, barrën kryesore historia zakonisht i’a mvesh mungesës së ndjenjës kolektive për t’i rezistuar padrejtësive. Dhe, sa me e thellë bëhet heshtja, aq më shumë trimërohen autokratët, sa më shumë trimërohen aq më shumë egërsojnë pushtetin, deri në asimilim qytetar”, ka thënë ajo.
Edhe pse kanë kaluar katër ditë nga fillimi i muajit, pagat për mësimdhënësit nuk kanë dalë ende.