




Armend Muja i Vetëvendosjes ka publikuar disa shifra, përmes të cilave thotë se është ulur shkalla e papunësisë gjatë 2021-s. Ish-ministrja e Finanacave, Hykmete Bajrami, ka nxjerr raporte të tjera, që e kundërshtojnë atë që e thotë Muja.
Deputeti Muja ka bërë një analizë të punësimit, duke thënë se ka rënë papunësia në vjeshtën e 2021-s. Sipas përllogaritjeve të tij, shkalla e papunësisë është ulur nga 24.6 për qind në 17.7 për qind.





“Indikatoret kryesor te tregut te punes: numri i te punesuarve gjate tremujorit te trete 2021 ka arritur ne 414,705, ndersa shkalla e papunesise eshte ulur ne 17.7% (ASK, 2022). Gjate vitit 2021 jane raportuar rreth 32,000 vende pune me shume krahasuar me periudhen e njejte te vitit 2019. Shkalla e papunesise eshte ulur nga 24.6 ne 17.7%”, ka shkruar Muja në Facebook, duke bashkëngjitur disa tabela.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, që është profesoreshë e Ekonomisë, thotë se po manipulohet me shifra të pasakta të punësimit.





Ajo përmend numrin e personave që janë punësuar përkohësisht nga Komisioni Qendror Zgjedhor gjatë dy palë zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2021. Që i bie, gjatë kohës kur Muja thotë se ka rënë papunësia.
“Dhe, nuk është e vërtetë që është rritë punësimi për 6.9% në fund të vitit 2021. Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, në faqe 78 thotë: 62,417 veta janë angazhuar nga KQZ në procesin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 14 shkurt 2021 dhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në muajt tetor dhe nëntor 2021”, ka shkruar në Bajrami në profilin e saj në Facebook. /Express/