Pas largimit të deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga Guxo dhe Grupi Parlamentar i VV-së për të shkuar në LDK, pati kritika por edhe akuza të ndryshme. Një ndër to ishte ajo e deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi i cili publikisht e kishte ndërlidhur ikjen e Kica-Xhelilit me sponsorizime të jashtme.
Kjo deklaratë, ka thënë deputetja, e kishte shokuar. Por ka paralajmëruar se nuk do të lejoj më që akuza të tilla të hidhen mbi të. Ajo ka paralajmëruar përballje me drejtësinë për deklarata, siç ka thënë ajo, që shpifin mbi integritetin e saj,
“Ma kanë dërgu këtë intervistë të tij dhe kur e kam parë, më së paku them që jam shoku. Më së paku. Të thuash tradhti, hajni e votës, ckado tjetër, është njëfarë elementi subjektiv, ti po e vlerëson si të tillë… po e lëmë anash. Secili që është në gjendje të shpifë, përgënjeshtrojë dhe të tentojë në njëfarë forme ta prekë integritetin tim, në këto tri javët e fundit madje edhe i kam lejuar sepse e kam pasur edhe për vete njëfarë faze të tranzacionit, por nuk do t’i lejoj më. Nuk do t’i lejoj më, nuk do t’ua fal më. Tani e tutje nuk do ta kem aspak problem që të t’i ballafaqojë me ligjin, aspak problem”, ka deklaruar ajo në emisionin Pressing të T7.
Ajo ka thënë se deklaratat e ngjashme, janë niveli më i ulët i shpifjes dhe gënjeshtrës.
“Por të thuash, kur pyetesh, për largimin e Doarsa Kica-Xhelilit dhe të thuash me aso sigurie se ka sponsorizme nga jashtë, për mua është jo vetëm niveli më i ulët i shpifjes dhe gënjeshtrës, por e kam një dyshim nëse z. Rrustemi e kupton se në çfarë cilësie po flet. Z. Rrustemi nuk është vetëm qytetar i Republikës së Kosovës dhe madje kryeson komision për legjislacion në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nëse ai thotë se për mua paska pasur sponsorizime nga jashtë, ai duhet të vijë në skenë dhe t’i qes ato sponsorizime nga jashtë”, ka deklaruar ajo gjatë emisionit. /GazetaExpress