Deputeti Behgjet Pacolli i ka reaguar mogulit Elon Musk, i cili propozoi një qasje të ngjashme ndaj Krimesë dhe Donbasit ukrainas si me rastin e Kosovës.
“Lexo para se të postosh në Twitter!”, i ka replikuar Pacolli Muskut në Twitter.
“Më e mira që mund ta bëni për botën është ta ndërtoni edhe një fluturake hapësinore për udhëheqësinë e Rusisë dhe Serbisë sepse me trashëgimitë e tyre gjenocidale dhe të luftës, janë bërë të pashëndetshëm për tokën”.
“Nëse nuk mund ta bëni këtë gjë, atëherë më mirë qëndroni jashtë kësaj pune!”
Musk e ka përmendur rastin e pavarësisë së Kosovës kur ka folur për gadishullin dhe krahinën ukrainase të Krimesë dhe Donbasit.
Ai e ka hapur një anketë në llogarinë e tij në Twitter, duke propozuar që të mbahet një referendum se me kë duan të jenë këto dy territore, me Ukrainën apo Rusinë, shkruan klankosova.
“Le ta provojmë këtë: vullneti i njerëzve që jetojnë në Donbas dhe Krime duhet të vendosë se a janë pjesë e Rusisë apo Ukrainës”, ka shkruar ai.
I pyetur nga një ndjekës se a po tenton ta legjitimojë pseudoreferendumin që ndodhi nën kushte persekutimi, tortura dhe ekzekutime, Elon Musk sugjeroi që votimi të zhvillohet nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.
Më pas, ai e ka sugjeruar një qasje të ngjashme për këto territore, siç ishte bërë me Kosovën, por pa e elaboruar më qartë se çfarë donte të thoshte me këtë.
“Ndoshta një qasje të ngjashme si me Kosovën?” ka shkruar Musk dhe ia ka bashkëngjitur artikullin e Britannica për “vetëshpalljen e pavarësisë nga Kosova”.