Sami Lushtaku i është kthyer ashpër kryetarit të VV-së dhe kryeministrit aktual, Albin Kurti pas një videoje të publikuar të Vetëvendosjes, ku figura të ndryshme që kanë qeverisur me Kosovën, paraqiten si shkatërrues të shtetit.
Duke folur në emisionin Pressing të T7, Lushtaku ka thënë se më shumë e respekton një serb nga Beogradi se kryeministrit Kurti. Ai ka thënë se Kurti e di këtë gjë.
Prandaj, sipas tij, fytyra e tij fokusohet në mënyrë të veçantë në videon e publikuar.
“Ma shumë e respektoj një serb të Beogradit se sa Albin Kurtin”, ka deklaruar ai.
“Prandaj, më ka fokusu aty me fotografi, si pak më të veçantë”, ka shtuar Lushtaku, që aktualisht është nënkryetar i Komunës së Skenderajt.
Lushtaku e ka ftuar Kurtin që ta hetojë, përderisa ka thënë se ekspozimi i tij në videon e VV-së, është ofendim për të dhe familjen e tij,
“E ka pushtetin, le të urdhërojë. Kjo që ka ndodh sot, është ofendim për mua dhe familjen time”, ka thënë ai.
Gjatë emisionit, Lushtaku ka thënë se i vjen keq që janë vendosur në video ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë.
“Më erdhi keq për ata që janë në Hagë. Unë edhe aa që janë në Hagë jemi mësu me kësi videosh në kohën e MIlloshoviqit, kur fotografia e ime dhe bashkëluftëtarëve të mi, ka qenë vazhdimisht në mjetet e informimit serb”, ka thënë ai.
Lushtaku ia ka serbizuar mbiemrin Kurtit, duke e quajtur “Kurtoviq”, ndërkohë që e ka ftuar që ta aktivizojë drejtësinë mbi të nëse ka dyshime për vepra penale.
“Kurtoviqi e ka pushtetin. Nëse konsideron që jemi hajna, le të veprojë drejtësia. E ftoj Kurtoviqin dhe sejmenët e tij, le të urdhërojnë… gjykatën e kanë, prokurorinë e kanë. Kam pritur nga kjo qeveri që minimalisht t’i ndihmojë ata që janë në Hagë, e ky publikon këso video që janë të çuditshme”, ka thënë Lushtaku në Pressing të T7.
Sot, gjatë ditës, VV ka publikuar një video në formë propagande, ku ish-zyrtarët e lartë qeveritarë përshkruhen si shkatërrues të shtetit. Deputeti i VV-së, Artan Abrashi ka thënë se kjo video është krijuar për t’ia kujtuar opozitës aktuale se kush ishte dikur. /GazetaExpress