Kreu i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, i ka konfirmuar raportimet se vetëm mësimdhënësit grevistë janë penalizuar nga greva, derisa shërbyesve tjerë civilë u janë proceduar pagat. Jasharaj, këtë po e sheh si tentativë të kryeministrit Kurti për ta rrënuar sindikatën e arsimit, të cilën ai thotë se nuk kanë mundur ta rrënojnë as në vitet e 90ta.
“Ata që na kritikojnë një të vërtetë që mund ta vërtetojnë. Ky është një ndëshkim vetëm ndaj SBASHK-ut, sepse shërbyesit civilë janë në grevë dhe atyre u janë proceduar pagat. Edhe ata ishin në grevë, e ata po marrin paga. Po shihet që syri i qeverisë është të rrënohet SBASHK-u. Po tentojnë ta rrënojnë sindikatën më të fortë. Nuk kanë arritur ta rrënojnë as në vitet e ’90-a, s’do të arrijë ta rrënojë as qeveria Kurti”, ka thënë Jasharaj në T7.
“Çfarë iu desh Kurtit në ditën e parë të vitit shkollor, të na godasë në këtë mënyrë”, pyet Jasharaj.
Ai thotë se ka pritur që Kurti t’i mbështesë mësimdhënësit, sidomos në prag të dimrit të ftohtë e krizës që pritet të mbizotërojë.
“Në vend se të na falënderojnë dhe përgëzojnë që po fillon procesi mësimor, ata ndalin pagat dhe na godasin. Çfarë iu desh Kurtit në ditën e parë të vitit shkollor, të na godasë në këtë mënyrë, duke na ndëshkuar me ndalje pagash. Edhe po të kishte ligje që e mbrojnë këtë veprim të Kurtit dhe të thojë, ligji na mundëson t’i ndalim pagat, por ne nuk do t’i ndalim pagat sepse po përgatiten për dimër”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, kryesindikalisti Jasharaj nuk po tregon asnjë shenjë dobësimi, pasiqë, në mënyrë indirekte, po sugjeron se nëse nuk procedohen pagat, ata do të reagojnë më ashpër.
“Ne pezulluam grevën, por nëse pagat nuk procedohen, unë nuk garantoj çfarë do të ndodh tutje. Si duket qeverisë Kurti iu paska dashur greva”, ka deklaruar ai.
Jasharaj fajtor kryesor në këtë mes e sheh ministrin e Financave, Hekuran Murati si dhe atë të arsimit, Arbërie Nagavci.
“Fajtori numër një për këtë është Hekuran Murati, por edhe ministrja Nagavci që asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për kërkesat tona”, ka thënë ai.