Njeriu më i pasur në botë dhe njëri ndër figurat më me ndikim të shekullit njëzetenjë, Elon Musk, e ka përmendur rastin e pavarësisë së Kosovës kur ka folur për krahinat ukrainase të Donbasit dhe Krimesë. Ndaj këtij shkrimi ka reaguar ish-kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj.
Elon Musk e ka hapur një anketë në llogarinë e tij në Twitter duke propozuar që të mbahet një referendum se me kë duan që të jenë këto dy territore, me Ukrainën apo Rusinë. Por, duke vazhduar me reagime në llogarinë e tij, Musk ka sugjeruar një qasje të ngjashme për këto territore siç ishte bërë me Kosovën.
Ndërsa, ish-kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj, i reagoi Musk duke i thënë se duhet të informohet më shumë nëse do ta kuptojë mirë Kosovë dhe Ukrainën.
“Lexoni disa libra nëse doni të kuptoni më mirë Kosovën dhe Ukrainën! Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë, ndërsa Rusia kërkon të marrë toka që nuk i takojnë. Ju keni një narrativë ruse. Qëndroni larg kësaj teme nëse nuk jeni të informuar për detajet.”, i ka reaguar Enver Hoxhaj Elon Musk-it.