




Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka adresuar një sërë kritikash ndaj kryeministrit Albin Kurti në lidhje me dialogun me Serbinë.
Ai thotë se i pari i qeverisë s’ka sjellë asgjë të re në dialog, përkundër që ka proklamuar se do të fillojë një etapë e re.





“Kryeministri Kurti që nga fillimi është munduar të proklamojë se po fillon një etapë e re e dialogut. Nuk është ajo çka ka ndodhur për dhjetë vjet, pasi ky pretendonte vazhdimisht se po fillonte një etapë e re, por realisht s’kemi parë asgjë më shumë sesa vazhdimësi e dialogut që ka ndodhur më herët. Ju e dini se Qeveria Kurti ka qenë e fokusuar në hartimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energji, e para. E dyta tashmë çështja e kartave të identitetit që është një vazhdimësi e një marrëveshjeje të mëhershme, qoftë ajo e targave që lidhet me reciprocitetin. Krejt energjia shkon për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur më herët, nuk ka asgjë të re që kryeministri Kurti e ka sjellë në dialog”, ka deklaruar ai për KosovaPress.





Tahiri ka kërkuar nga ekzekutivi që të fokusohet tek njohja reciproke mirëpo më e rëndësishme, sipas tij, është ulësja e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që mos të lëvizet nga ajo që është thënë më herët, qoftë në nivelet më të larta, siç është ShBA, apo në kuadër të shteteve të QUINT-it, ku të gjithë kanë kërkuar që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, apo për neve që është e rëndësishme anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Përmbyllja e fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar si shtet arrihet atëherë kur ne anëtarësohemi në OKB. Në fund të ditës a na njeh Serbia, apo nuk na njeh është më pak e rëndësishme sesa është e rëndësishme ulësja jonë në OKB, pasi atëherë do të jemi pjesë e gjitha mekanizmave ndërkombëtarë, agjencive ndërkombëtare, qofshin ato si Interpoli, Europoli, UNESCO e shumë të tjera”.





Tahiri shprehet kritik ndaj Qeverisë së Kosovës edhe për mungesë të punës e cila, sipas tij, po reflekton direkt edhe në legjislativ. Ai thotë se ka papërgjegjësi nga mazhoranca edhe sa i përket caktimit të seancave plenare.
“Hera e dytë që nuk ka kuorum, përfaqësuesit e opozitës janë prezentë, por në anën tjetër edhe po të kishte kuorum ne materiale nuk kemi… pasi ju e dini se sponzorizuesi kryesor i ligjeve, politikave që vinë në Kuvendin e Kosovës është Qeveria. Mungesa e punës në Qeveri reflekton direkt në Kuvend”.
Krahas kësaj, ai tha se opozita dhe sidomos PDK-ja do të jetë aktive në Kuvend, përmes debateve parlamentare dhe interpelancave.
“Debatet parlamentare, interpelancat, iniciativat e opozitës nuk do të mungojnë, mirëpo ajo që është e rëndësishme është puna e qeverisë, projektligjet që i sjell qeveria të cilat në fund të ditës vijnë dhe debatohen në Kuvend, por po duket se do të jetë shumë plogësht”.
Mungesa e kuorumit ka qenë një kritikë që e ka shoqëruar legjislativin aktual. Plot 699 herë kanë munguar deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë seancave plenare në gjashtë muajt e parë të vitit 2022.
Kjo ka bërë që 23 seanca plenare të dështojnë në mungesë kuorumi në sesionin pranveror të legjislativit.