Bekim Haxhiu i PDK-së kritikon Qeverinë Kurti: S’ka mjek që vjen nga Evropa në Kosovë

Paralajmërimi i kryeministrit Kurti që të sjell në Kosovë profesionistët e huaj shëndetësor, ka vlerësime të ndryshme.

Nga opozita shprehin dyshime se mjekët nga vendet tjera do të vijnë për të punuar në Kosovë, ndërsa përfaqësues të matelbardhve po e mirëpresin një gjë të tillë.

Në mbledhjen e dytë të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësinë, kryeministri Kurti si udhëheqës i tij, paralajmëroi nënshkrimin e udhëzimit administrativ për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj, që të japin kontributin e tyre në Kosovë.

Por, kjo gjë sipas deputetit Bekim Haxhiu nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat. Sipas tij nuk ka interesim nga mjekët e vendeve të tjera për të punuar në Kosovë.

“Nuk ka kërkesa prej mjekëve nga Evropa që të vijnë në Kosovë është një situatë krejt tjetër. Ku mjekët nga Kosova po ikin drejt vendeve të BE-së. Qeveria duhet të fokusohemi për përmirësim të kushteve të mjekëve në Kosovë për tu a rritur pagat atyre dhe për tu’a plotësuar kërkesat të cilat ata i kanë që të qëndrojnë në Kosovë”, ka thënë Haxhiu, për tëvë1.
Të njëjtin mendim e ndan edhe deputeti i partisë tjetër opozitare AAK, Shemsedin Dreshaj.

“Nëse bëhet fjalë për procedura specifike diagnostike, terapeutike të cilat nuk kryhen në vend ata janë të mirëseardhur”, shprehet Dreshaj.

Ndryshe nga Haxhiu e Dreshaj, Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri po e cilëson të nevojshme ardhjen e mjekëve të rinj.

“Ngado që vijnë profesionistët shëndetësor është mese e nevojshme është edhe një shkëmbim i përvojës mes mjekëve aktual që janë në sistemin tonë dhe atyre që vijnë dhe sjellin metoda të reja nga vendet prej nga vijnë”, thotë ajo.

Kurse, synimi kryesor i këtij udhëzimi administrativ sipas kryeministrit Kurti është ngritja e standardit në kujdesin shëndetësor për qytetarët e vendit.