Hetem Ramadani flet për ndihmën në luftë: Shkova për t’ia dhënë Ramushit 50 mijë marka, duke negociuar ia dhashë 100 mijë

Biznesmeni i njohur kosovar, i cili njihet shumë në popull si një meditues dhe mjek popullor, ka qenë mysafir këtë javë në emisionin Kojshia Show.

Pos hulumtimeve të tij në mjekësinë alternative, ai në këtë emision ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.

Ramadani, në emision foli edhe për takimin e tij të parë me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, madje thotë se në këtë takim, i kishte dhënë atij 100 mijë marka gjermane për nevoja të TMK-së.

“Ramushin, herën e parë fizikisht e kam takuar kur kam ardhur në Kosovë pas nëntë vitesh pasi më parë nuk kam pasur të drejtë. Kam shkua me e taku Agim Çekun që ishte shef i TMK-së, Ramushi ishte zëvendës. Me çon Kadri Veseli me iu ndihmua për me u vesh ajo garda se nuk kishin lekë. Agim Çekun e njihja nga Lubjana para se të bëhej shef i UÇK-së, kisha shumë raporte të mira. Ma pruri Ramushin në zyre”.

“Ramushi ishte një djalë shumë i shkathët, shumë inteligjent, filloi me negociua për lekë, se unë shkova për 50 mijë marka, dhe duke negociuar ia dhashë 100 mijë marka. Aty e kam parë Ramushin, një djalë i shkathët. I thash ku i ke mësua negociatat ti, se unë t’u mëndu se jam profesor i negociatave, doli një njëri përpara që dinte edhe me negociu. Ia kisha dëgjua sigurisht emrin si luftëtar, si komandant, por hera e parë është aty”, tha Ramadani.