Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e pyetur në emisionin Rubikon për kritikat që deputetja e kësaj partie, Ganimete Musliu i hodhi ditë më parë në drejtim të PDK-së, tha se reagime të tilla mund të vijnë si rezultat i keqkuptimeve.
“Nuk do ta injorojmë askënd, ne jemi munduar gjatë gjithë procesit të jemi gjithëpërfshirës edhe unë si udhëheqëse e grupit punues, e mandatuar nga kryesia jam munduar që të takohem me deputetet edhe me kryesueset e kuvendeve komunale edhe me gra të tjera nëpër strukturat e partisë, është normale që hapat e tillë të guximshëm ndonjëherë të provokojnë edhe reagime, mbase jo dashakeqja për nga natyra, por thjeshtë si rezultat i keqkuptimeve, gratë në PDK do ta kenë derën e hapur”, tha Çitaku në Rubikon.
Çitaku shtoi se askush nuk ka punuar më ngushtë me ish-kryetarët e PDK-së sesa kryetari aktual Memli Krasniqi.
“Jam munduar shumë jo vetëm unë, por edhe kryetari Krasniqi, që të jem e hapur nuk ka njeri që ka punuar më ngushtë edhe me kryetarin Thaçi atëherë edhe me kryetarin Veseli, sesa kryetari Memli Krasniqi. Unë kam pasur përvojë me zotërinë Thaçi, pastaj kur ka ardhur Veseli unë kam qenë në SHBA, por Memli ka punuar me të dytë”, tha Çitaku, njofton Klankosova.tv.
Nënkryetarja e PDK-së e cilësoi si të pandershme përmendjen e emrave të Thaçit dhe Veselit për shkak të mospajtimeve brenda partisë.
“Unë zotërinë Thaçi e kam takuar gjatë luftës, kur kam punuar me gazetarë të huaj në terren dhe jam munduar maksimalisht që emrin e tyre asnjëherë mos ta lakoj panevojshëm në kuadër të debateve të brendshme partiake, zotëri Thaçi dhe zotëri Veseli sot kanë një betejë tjetër dhe do ishte shumë e pandershme që ne për shkak të mospajtimeve tona të brendshme t’i lakojmë emrat e tyre dhe jo vetëm e pandershme, por është edhe e dëmshme”, tha Çitaku.