Alpinistja Mrika Nikqi ka njoftuar se tri ditë më parë ka qenë viktimë e një sulmi seksual derisa po ecte në një rrugë në qendër të Pejës.
Nikqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se “me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës”.
“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt”, ka shkruar Nikqi, transmeton Telegrafi.
Më tej ajo shkruan “në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji”.
“Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time”, ka shkruar Nikqi. /Telegrafi/