Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha ka folur për konfliktin verbal me kryetarin e Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj në ambientet e Kuvendit të Kosovës, pas mbledhjes së Komisionit për Arsim.
Basha tha në “DPT te Fidani” se nuk është penduar për ato që i ka thënë Jasharajt. Ai ka treguar se ishte këshilluar që ta respektonte Jasharaj për shkak të moshës, por Basha ka thënë se atë e sheh vetëm si kryetar të SBASHK.
“Për besë jo, mua më tha dikush respekto se më i vjetër. Unë s’kam shku aty… aty e shoh vetëm si kryetar të SBASHK-ut. Nuk ia mati vitet, por veprimet. Çka kam ba keq unë aty, që me kërku falje? Ose me u pendu”, ka pyetur Basha.
Basha ka treguar edhe momentin kur ishte nervozuar në ditën e përplasjes. Sipas tij, në momentin kur sindikalistët kishin refuzuar që t’i jepnin fjalën një deputeti të Kuvendit, atij i kishte “krisur filmi”.
Ai ka përmendur edhe një ofendim që sipas tij është bërë nga përfaqësuesi i SBASHK, Reshit Kushaj.
“Qaty ma krisi filimin, kur tha mos ia jep fjalën deputetit. Ma hupi kodin krejt. Edhe ai tjetri ofendoj… Kushaj. Tha mos ma lodh… edhe… po. Pastaj kur dola në korridor, u përplasa me të”, tha Basha,
Basha është shprehur i bindur se sindikatat qëllim nuk i kanë 50 euro më shumë, por kundërshtimin e qeverisë Kurti.
“S’e kanë të sinqertë, për 50 euro, e kanë me Albin Kurtin, e kanë me qeverinë”, ka deklaruar ai.
Sipas deputetit të VV-së, Kurti nuk bën “pazare” me askënd. /GazetaExpress