




Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde konfirmoi se rrjedhjet e gazit nga tubacionet Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 u shkaktuan nga shpërthime.
“Rrjedhja e gazit nga Nord Stream 1 dhe 2 në zonat ekskluzive ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës është rezultat i shpërthimeve, ndoshta të shkaktuara nga sabotazhi”, shkroi ajo në Twitter.
Ajo shtoi se “vazhdon mbledhja e informacionit” dhe se “asnjë shkak, aktor apo motiv nuk përjashtohet”, raporton Tass.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se nuk përjashton mundësinë që dëmtimi i tubacioneve të gazit të sistemit Nord Stream të jetë rezultat i sabotimit.





Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjithashtu nuk përjashtoi mundësinë që dëmtimi i tubacioneve Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 të jetë shkaktuar nga sabotimi.
Një zyrtar gjerman i sigurisë, i cili kërkoi të mbetet anonim sepse ende po heton se si u dëmtuan tubacionet Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, konfirmoi se Gjermania dyshon për sabotim.
“Dëshmitë tregojnë për një akt të dhunshëm, jo një problem teknik,” tha ai, sipas Bloomberg.
Bashkimi Evropian dyshon se dëmtimi i dy tubacioneve nënujore të gazit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 është sabotim dhe paralajmëron se do t’i përgjigjet çdo sulmi ndaj rrjeteve evropiane të energjisë, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell. raporton AP.
“Të gjitha informacionet e disponueshme tregojnë se rrjedhjet e gazsjellësit North Stream 1 dhe North Stream 2 janë rezultat i një akti të qëllimshëm”, tha Borrell në një deklaratë të postuar në Twitter.





Ai tha se “çdo përçarje e qëllimshme e infrastrukturës energjetike evropiane është plotësisht e papranueshme dhe do të përballet me një përgjigje të fortë dhe të bashkuar”.
OKB-ja nuk mund të verifikojë nëse bëhet fjalë për sabotim
Kombet e Bashkuara nuk kanë asnjë mënyrë për të verifikuar pretendimet se tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 kanë qenë subjekt i sabotimit dhe shpreson se rrjedhja e gazit do të ndalet, tha një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.
“Ne i kemi parë shkrimet në media, por nuk kemi asnjë mënyrë për të verifikuar këto pretendime dhe as mandat për të kryer një hetim. Shpresojmë që rrjedhja e gazit të ndalet për të siguruar një rrjedhje më të madhe”, tha Dujarric në një konferencë për shtyp, transmeton Tass.





Nord Stream AG tha se tre linja në det të hapur të sistemit të gazsjellësit Nord Stream pësuan dëme “të paprecedentë” në vetëm një ditë.
Brenda pak orësh u zbuluan tre rrjedhje në tubacionet e gazit.
E para u zbulua në Nord Stream 2 pranë ishullit danez të Bornholm, e ndjekur nga dy rrjedhje të tjera në Nord Stream 1.
Agjencia Daneze e Energjisë raportoi se një sasi e madhe gazi kishte rrjedhur në det.
Avionët dhe anijet u urdhëruan të qëndronin të paktën pesë milje detare nga vendi i incidentit.
Sizmologët suedezë më vonë njoftuan se kishin regjistruar dy shpërthime përgjatë gjurmës së gazsjellësit të hënën. /tesheshi