Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Isak Shabani ka folur për periudhën sa ka qenë në burgjet e Serbisë bashkë me kryeministrin Albin Kurti.
Ai tha se ka besuar se Kurti do bëjë shumë për Kosovën, mirëpo tani sipas tij, qytetarët kanë filluar të zhgënjehen nga lideri i Vetëvendosjes.
“Ne të burgosurit atje kemi qenë shumë të afërt, si vëllezër, nuk kemi pasur rezerva ndaj njëri-jetrit. Malltretimet e vuajtjet kanë qenë të përbashkëta.
Unë edhe pse jam në Partinë Demokratike të Kosovës, ndër dije jam lutur që ndoshta do jetë një ndryshim i mirë. Kam besuar se Kurti do bëjë shumë për Kosovën. Prandaj, nga sondazhet e fundit, mund të themi se ka filluar një zhgënjim i madh i popullit ndaj qeverisë Kurti”, tha Shabani në Tëvë1.info.Reklama
“Në Kuvend kur kemi debatuar për grevën, kam dashur t’i drejtohem Kurtit si bashkëvuajtës, shok e mik. Mirëpo, iu drejtova si kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha ai tutje.
Deputeti i PDK-së foli edhe për grevën në arsim dhe në administratën publike.
Shabani tha se kryeministri Albin Kurti më herët ka qenë përkrahës i sindikatave, teksa tani sipas tij, ai po i fyen ato.
“Zgjidhja më e mirë e këtij problemi do ishte një dialog serioz. Deri sot nuk ka pasur biseda serioze, prandaj janë krijuar pasoja. Së pari, Qeveria nuk ka qenë serioze. Është koha të ulen dhe të bisedojnë seriozisht. Kryeministri po vepron keq, po i fyen mësimdhënësit. Pasi, Kurti më herët ka qenë përkrahës i atyre sindikatave, kurse sot po harron. Këtyre ditëve, veprimet e Kurtit kanë treguar se ai gjithmonë ka dashur të tregojë se “unë këtu pyetna, unë jam baba””, tha Shabani. /eo