Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në replikë me kryeministrin Albin Kurti, akuzoi ministrat e tij se prioritet e kanë lëvdatën ndaj shefit të tyre në vend të punës së tyre në fushat përkatëse.
“Mirë që dole kryeministër se ndonjëherë po fshihesh pas këtyre argatëve tu. Mësoji kapak se nuk kanë nevojë me t’u dëshmuar ty, se po e sheh populli dëshminë e tyre, e s’kanë nevojë ty që të dëshmohen sa lojalë janë se të vetmen garë që e bëjnë këta është se cili po të hy në qejf ty më shumë. Në vend se me bë garë që me qitë diçka në dritë këtë vend, garën e kanë kush po e lëvdon Albinin më shumë”.
Krasniqi tha se greva është problem specifik meqë nuk është vetëm e mësimdhënësve, por edhe e sektorëve të tjerë. Ai tha se disa punëtorë të administratës dalin në punë për shkak të “shantazhit nga Kurti”.
Po ashtu, Kransiqi ironizoi edhe me moton e partisë së Kurtit në zgjedhje që ishte “Erdhi dita”.
“Thoshit erdhi dita. Kryeministër, dita shkoi gati e ju hala s’e keni fillu punën. Mbrëmja është duke ardhë. Çu puno najsen. Dije që ora katër pasdite është e ju ende asgjë nuk keni bërë”, ka thënë Krasniqi në Kuvend.