




Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja zgjidhje që çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë dhe se gjysmëzgjidhjet i japin hapësirë të mjaftueshme Serbisë që të vazhdojë të afrohet më shumë me Rusinë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku, ku ndodhet për takime në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidentja e Kosovës tha se forcat politike në Kosovë duhet të jenë të bashkuara në lidhje me politikën e jashtme ndaj Serbisë.





Lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, zonja Osmani tha se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jo atë që është nënshkruar në Bruksel, ndërsa ka theksuar se Serbia vetë nuk i ka zbatuar rreth dy të tretat e marrëveshjeve që i ka nënshkruar.
Në intervistën me gazetaren Keida Kostreci, Presidentja Osmani përsëriti qëndrimin e Kosovës kundër nismës “Ballkani i Hapur”, për shkak se Kosova trajtohet si e pabarabartë me shtetet tjera.
E pyetur për marrëdhëniet me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, zonja Osmani tha se politikanët shqiptarë nga çdo vend ku janë, nuk duhet të justifikojnë veprimet dhe politikat e Serbisë.