Një postim i këshilltarit të kryeministrit Kurti, Hysamedin Feraj, gjatë ditës së djeshme ndezi reagime të ashpra të opinionit publik.
Në kundërpërgjigje e sipër, Feraj nga Shqipëria i tha kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj se ai duhet të tregojë se përse “në luftë nuk është vrarë ai, por vëllezërit e tij”, shkruan lajmi.net.
Kaq i pakursyer në komente, Feraj tregohej edhe në të kaluarën. E këtë, e tregon më së miri një postim i tij në shtator të vitit 2019. Atë kohë, Feraj, teksa sulej të bënte komente për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në tetor, sulmonte ashpër tanimë presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Madje, këtë të fundit e quante person të dalë nga shkolla serbo-greke.
“Vërtetë e shkollueme dhe besnike, por nga veprimet e nga fjalët, duket qartë e shkollueme e besnike në shkollën e nacionalizmit serbo-grek”, thoshte Feraj në postimin e tij.
Postimi i plotë i Ferajt:
“E shkolluemja” Vjosë!
Kurrë nuk pati aq shkollë sa të shquante, të na paralajmëronte, e të na mobilizonte kundër rreziqeve qe na përgatiteshin e na propozoheshin t’i realizojmë vetë ne, nëpërmjet dokumenteve juridike:
Copëzimin e Kosovës mbi baza etnike në planin Aahtisari; “përfshirjen e të gjitha kërkesave të Serbisë”, siç deklaroi i kënaqur Vuk Jeremiqi, për 6 pikat e Ban Ki Munit; bosnjëzimin e Kosovës me marrëveshjen për zajednicën serbe…
Të mos zgjatemi: “e shkolluemja” Vjosë di të paralajmëroj kërcënueshëm vetëm kundër bashkimit kombëtar shqiptar! Madje duke tejkaluar nacionalizmin serb: kërkon të heqim dore perhershëm jo vetëm nga përpjekjet praktike por nga vetë ideja e ndërgjegjes shqiptare!
“Nesër i vjen radha të na kërkoj të njëjtën gjë për Mitrovicën dhe Veriun e Kosovës. Mbasi kundër shqiptarëve e në favor të shtetit malazez tashmë e ka kryer një detyrë duke votuar për 8200 hektarë territor të shtetit që pretendon ta mbrojë.
Vërtetë e shkollueme dhe besnike, por nga veprimet e nga fjalët, duket qartë e shkollueme e besnike në shkollën e nacionalizmit serbo-grek.
Prandaj Vjosa është mohimi absolut intelektual e politik i dy zonjave të shquara jo shqiptare: Albright-Merkel që frenuan nacionalizmin bashkëkohor serb të cilin Vjosa do që ta bëj mendim të Republikës së Kosovës.
Elektorati i LDK-ës, i rrekur në rezistencën antiserbe dhe me ëndrrën e bashkimit kombëtar, nuk është as i kësaj shkolle të Vjosa Osmanit, as për këtë “dituri” që nuk shquan para se të ndodh asnjë rrezik të sotëm për shqiptarët.
Për hir të vuajtjeve të veta, të durimit të dikurshëm torturues vetëm për hir të avancimit të statusit e të çështjes shqiptare, elektorati i LDK- ës sot e shikon veten e atëhershme të avancuar tek Albin Kurti dhe VETËVENDOSJE!.