




Bashkimi Evropian (BE) ka shtuar presionin ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të mos vonojë vënien e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Nëse kjo s’ndodh shpejt, sipas burimeve diplomatike të gazetës serbe “Danas”, Serbia do të përballet me sanksione të BE-së.
“Nëse BE-ja do të vendosë për sanksione, hapi i parë do të jetë ndalja e rrjedhjes së parasë drejt Serbisë, anulimi i Schengenit të bardhë, ndërprerja e negociatave për pranim në Bashkimin Evropian dhe më pas sanksione. Por kjo merr kohë”, kanë thënë burimet e kësaj gazete.





Sipas tyre, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po shpreson në përkrahjen e Viktor Orbanit, kryeministrit të Hungarisë, që ta bllokojë iniciativën nëpërmjet Këshillit të BE-së apo edhe Komisionerit Evropian për Fqinjësi e Zgjerim, Oliver Varhelyi.





“Pasi që nënshkrimi i marrëveshjes me Prishtinën po afrohet, shanset që do t’i mbërrijnë sanksionet janë shumë të vogla, por Parlamenti i Bashkimit Evropian është i lirë të kalojë një rezolutë për t’i pezulluar negociatat, dhe në mes të krizës në Ukrainë, do ta ketë përkrahjen e shumicës së qytetarëve të BE-së”, kanë thënë burimet e “Danasit”.
Serbia është ndër të paktat vende që kanë refuzuar të vendosin sanksione, në vijë me shtetet e Perëndimit, kundër pushtimit rus të Ukrainës./21Media