Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë investimesh në projekte infrastrukturore. Ai, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka folur për gjendjen e rëndë të rrugës Prishtinë-Gjilan.
Ai ka thënë se nuk e di se sa i frekuenton Kurti rrugët regjionale në Kosovë.
“Nuk e di se sa i frekuenton rrugët regjionale të Kosovës, z.Kurti. Ndoshta nuk ka kaluar që moti rrugën Prishtinë-Gjilan sepse do ta vërente situatën katastrofale të kësaj rruge. Por, sigurisht ka dëgjuar për aksidentet e shumta që ndodhin si rezultat i mosmirmbajtjes së asaj rruge. Mos te flasim për dëmin e makinave dhe rrezikun permanent për këmbësorët”, ka theksuar ai.
Pacolli i ka bërë edhe një lutje kryeminsitrit Kurti.
“I lutem kryeministrit që në rrugëtimin e parë, të ulet ne makine në ulësen përpara dhe të shoh gjendjen e rrugëve. Ndoshta i mbushet mendja që të përdor buxhetin në këto investime, e jo ta mbajë paranë e bllokuar”, ka shkruar ai.