Halimi për Qeverinë Kurti: Bllokim projektesh, emërime e punësime militantësh

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, për një vit e gjysmë të qeverisjes së kryeministrit, Albin Kurti, ka thënë se të gjitha krizat dhe dështimet do t’i mbulojë me kërcënime për luftë.
“Në një vit e gjysmë të kësaj qeverie, kemi parë krejt të kundërtën e asaj për të cilën është votuar. Kemi qenë dëshmitarë të shumicës arrogante; të amatorizmit të skajshëm në diplomaci, të shkarkimeve të kundërligjshme aty, si dhe emërime e punësime militantësh në shumë borde, ndërmarrje publike e organizma shtetërorë”, kështu ka deklaruar zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.

Sipas saj, përveç keqqeverisjes, ka edhe mosqeverisje në çdo sektor, “bllokim projektesh që shpie pashmangshëm në suficit rekord, hiç më pak se 91 për qind e mjeteve që teprojnë.

E të gjitha këto ajo ka thënë se janë si pasojë e mosangazhimi të qeverisë, dhe nga mungesa e investimeve të huaja, dhe se të gjitha krizat dhe dështimet, qeveria sipas saj, do t’i mbulojë me kërcënime për luftë.

“Duke mos parë perspektivë e zhvillim ekonomik, kemi pasur ikje masive të rinisë nga vendi, me theks të veçantë largim të mjekëve dhe sfafit shëndetësor”, është shprehur ajo për Portalin Dukagjini.

Ndërsa, Halimi ka theksuar edhe krizën e çmimeve në Kosovë, sipas saj qeveria ka humbur kontaktin me bazën, pasi të gjithë qytetarët e përjetuan netto krizën e çmimeve në xhepat e tyre.

“Si pasojë, sivjet pagat e qytetarëve të Kosovës vlejnë për një të pestën më pak se një vit më parë, e gjërat bazike ushqimore janë shtrenjtuar dyfish e më shumë”, ka shtuar ajo.

Halimi ka kujtuar edhe dimrin e mëparshëm, për të cilin ka thënë se Kosova ka kaluar një krizë të thellë energjetike, të cilën sipas saj po e përjetojmë për së dyti, pa ardhur akoma dimri i dytë.

Ajo ka akuzuar qeverinë se rreziku për energjinë në mes të gushtit, nuk ka ardhur nga kriza globale, por nga “papërgjegjësia lokale, nga qeveritarët e padijshëm që nuk bëjnë remontet e blloqeve të KEK-ut në kohë”.

Ndërkaq, për grevën në arsim, e cila ka hyrë në javën e katërt, ajo ka theksuar se është “si pasojë e kryeneçësisë së palëve”.