Asnjë njohje e re e as anëtarësim në organizata ndërkombëtare nuk ka siguruar Kosova gjatë një viti e gjysmë qeverisjeje të Qeverisë Kurti. Njohësit konsiderojnë se në aspektin e politikës së jashtme, Qeveria ka qenë pasive. E një situatë e tillë, thonë se lë pasoja
Pasiviteti vlerësohet se e ka karakterizuar qeverisjen prej një viti e gjysmë të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, kur është fjala për politikën e jashtme.
Njohës të diplomacisë konsiderojnë se me gjithë deklarimet nga Ministria e Punëve të Jashtme, veprimet konkrete kanë munguar.
Sipas Emir Abrashit, Ministrisë së Punëve të Jashtme i kanë munguar vizioni dhe qasja serioze.
“Ne deri më tani nuk kemi asnjë njohje të re nga kjo Qeveri, nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Edhe ato pak tentativa të cilat janë bërë, janë bërë në mënyrë të pasuksesshme, për shkak se janë bërë në mënyrë ad-hoc, pa konsultim me aleatët brenda dhe jashtë vendit, dhe në këtë formë Ministria e Punëve të Jashtme mund të them se lë shumë për të dëshiruar si institucion”, ka thënë Abrashi, njohës i politikës së jashtme.
Në Grupin për Studime Politike e Juridike thonë se qasja e tillë e ekzekutivit karshi politikës së jashtme lë pasoja.
“Ndikon te vetë Serbia, për shkak se ne e dimë që është haptas, nuk e fsheh faktin që punon që të vihet në pikëpyetje subjektiviteti i vetë Kosovës. Ne duhet me qenë një hap më përpara se vetë ajo, që jo që të mbrojmë këtë gjendje që e kemi, por të ecim më tutje për shkak se është shumë e nevojshme që të bëhemi pjesë e proceseve dhe e organizatave ndërkombëtare”, ka thënë Naser Shamolli, hulumtues në GSPJ.
Kohët e fundit, pakënaqësi ndaj udhëheqjes në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë shprehur një pjesë e punëtorëve të saj.
Për Abrashin e Shamollin, problemet e adresuara nga zyrtarët e vetë MPJD-së tregojnë për situatën në të cilën gjendet ky institucion.
“Stafi civil do të jetë aty edhe kur këta të largohen dhe nuk është e udhës që të ketë të tilla betejash e që në fund të fundit humbësi më i madh do të jetë vetëm Kosova dhe qytetarët e saj”, ka thënë Abrashi.
“Kjo është problematike me faktin se ne nuk jemi në pozicion të mirë në politikë të jashtme, që në të njëjtën kohë të merremi me… ndoshta procesi është dashur të shkojë në të dyja drejtimet, mos të ndalet politika në aspektin e jashtëm, por që në të njëjtën kohë të vendosen kriteret dhe ligjshmëria brenda vetë Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka deklaruar Shamolli.
Lidhur me njohjet, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si dhe punën e Ministrisë në këtë drejtim, televizioni ka dy ditë që nuk ka marrë përgjigje.
Kosova më 12 maj të këtij viti ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, derisa krerë të institucioneve kanë bërë të ditur se synojnë që deri në fund të këtij viti të aplikojnë edhe për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.