Konjufca ‘çudit’ opinionin: Kandidimi kundër Kurtit ‘veç sa për sy e faqe’ e dëmton demokracinë
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosjes Glauk Konjufca, pas votimit në zgjedhjet e brendshme të partisë, ka thënë se kryetari Kurti, nuk ka kundërkandidat, pasi sipas tij, ky është qëndrimi i të gjithë anëtarëve e kësaj lëvizjeje.
Sipas tij, kandidimi i dikujt tjetër vetëm sa për sy e faqe, e dëmton seriozisht demokracinë.
“Për Kryetar të VETËVENDOSJE, sot vetëm Albin Kurti nuk ka kundërkandidat. Jo për shkak të asaj që thonë oponentët tanë politikë, por sepse ky ishte qëndrimi i të gjithë anëtarëve tanë të partisë, pa përjashtim. Shtoja kësaj që, kandidimi i dikujt vetëm sa për sy e faqe, nuk i shërben demokracisë, por përkundrazi e dëmton seriozisht atë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje sot është më e fortë se kurdoherë dhe po e tregon për të katërtën herë demokracinë e saj të brendshme progresive.
“Brenda Lëvizjes sot ka një pjesëmarrje shumë të kënaqshme politike, me një gjithëpërfshirje të jashtëzakonshme të të gjitha shtresave dhe niveleve, e sidomos të të rinjve dhe të rejave për poste të rëndësishme brenda partiake dhe lokale”, ka shtuar ai.