




Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, mbajti Konventën Programore, të cilën e shpalli të hapur nënkryetari i parë i LDK-së, njëherësh kryetar i degës i kësaj komune, Lutfi Haziri, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë.
Në fjalën e tij, Haziri, tha se LDK është gardian i demokracisë dhe i zhvillimit të shtetit.





Ai tha se edhe përkundër faktit që në Gjilan janë në opozitë, në mënyrë të vazhdueshme po ofrojnë këshilla dhe sugjerime, mirëpo ato nuk po dëgjohen nga pushteti i sotëm në Gjilan, për të cilin tha se ky pushtet e fituar një zyre por e ka humbur qytetarin.
Ndër të tjera, ai tha se LDK do ta bëj rikthimin e madh, në krye me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.





“Sot, në këtë Konventë madhështore, e konfirmojmë kështu bashkë e me unitet të plotë se ne nuk bëhemi kurrë ‘kukulla’ të pushtetit sepse nga qendra e investimeve më të mëdha publike, VV e futi Gjilanin në depresion të thellë politik e ekonomik. Është shqetësues fakti që asnjë investim i ri brenda dhjetë muajve nuk ka ndodhur deri sot në Gjilan nga kjo administratë. Po administrojnë me Komunën siç po administron me Republikën shefi i tyre politik. Është fatkeqësi dhe zhgënjim i madh për qytetarët se ky vit është i humbur për Gjilanin. Interesi ynë është që ky vit i humbur të kompensohet me bashkëpunim e aktivizëm, duke u bazuar në rregullore dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale”, tha Haziri.