Para disa ditësh, Ramë Buja dha dorëheqje nga kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo është hera e dytë që Buja jep dorëheqje nga kryesia e PDK-së, pasi të njëjtin veprim e kishte bërë edhe në kohën kur Kryetar i PDK-së ishte Kadri Veseli, ish shef i SHIK-ut, tani i akuzuar në Hagë nga Gjykata Speciale.
E sikur të mos mjaftonte kjo, në PDK ka filluar një pëçarje e madhe. Dëshmi për këtë është edhe sulmi që ish këshilltari i Kadri Veselit, Nijazi Kryeziu bëri ndaj kreut aktual të PDK-së, Memli Krasniqi.
Përmes një postimi në facebook, Kryeziu hodhi kritika të ashpra ndaj Krasniqit, duke thënë se po i injoron figurat dhe aktivistët e vjetër të partisë.
“Nuk është Ramë Buja kafshatë që kapërdihet me heshtje. Mos mendo që mund ta injorosh krejt anëtarësinë e partisë, organet drejtuese e vlerat patriotike, çlirimtare e shtetformuese, duke i zëvendësuar me gjysmën e klasës së gjimnazit ‘Xhevdet Doda’, që i njeh, në Prishtinën që asnjëherë nuk i keni fituar asnjë palë zgjedhje, bile as në një lagje të vetme në Prishtinë. Me ata që dalin në zgjedhje dhe nuk përdorin as llogo as emblemë e sllogan të partisë, që kurrë nuk e përmendin as UÇK-në, as PDK-në! Demokratët i ke pas vete në çdo rrethanë dhe kanë nevojë më shumë se kurrë për lider, e liderët nuk janë vetëm për fotografi e ngjarje të mira!”. Partinë Demokratike e ke degdisur si të ishte OJQ e regjistruar pa statut, pa program e pa organe vendimmarrëse! Thirri gratë, burrat e rininë e partisë, të ulen e të diskutojnë, prej debatit nuk ke kurrë të keqe. E keni plandosur PDK në, e keni tkurrur, e keni lënë vëzhguese edhe në taborrin e opozitës”, ka shkruar ndër tjerash Njazi Kryeizu në reagimin drejtuar Memli Krasniqit.
E kritika të ashpra për PDK-në, ka edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.
“Një parti e cila ka qëndruar për mbi 13 vite në pushtet duke bëre pazare me tokat e Kosovës, nuk ka kundërshtuar referendumin e Vuçiqit dhe nuk ka votuar as ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, parti që e ka bërë pjesë të jetës nepotizmin, korrupsionin e krimin e organizuar, ka vjedhur, plaçkitur e thelluar varfërinë, dhe izoluar vendin nga mbarë bota demokratike, parti që e ka rrezikuar më tepër se cilido subjekt tjetër politik shqiptar, tërësinë territoriale, kufijtë, sovranitetin dhe vazhdimësinë e shtetit të Kosovës, ka kërkuar e vazhdon të kërkojë ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, parti që në qeverisjen e PAN-it ka shuar edhe Institutin për mbledhjen e fakteve dhe hetimin e krimeve serbe, si dhe ka kërkuar faljen e të gjitha krimeve dhe gjenocidit, të shkaktuara nga Serbia në Kosovë, nuk mund të ngritet artificialisht në piedestal nga ish këshilltarët e ish kryetarëve të arrestuar me akuza për krime në Hagë, një parti të cilës më së miri populli dhe vota e qytetarëve ia ka përcaktuar vendin, asaj nuk guxon t’i thuren lavde nga askush, por të ndalohet me ligj të paktën për dy dekadat e ardhshme në Kosovë”, thotë Qarri për “Bota sot”.
Sipas tij, PDK ka punuar dhe promovuar planin për ndarjen e Kosovës.
“Parti që nuk ka qenë në gjendje të zbatojë as marrëveshjet e nënshkruara nga vet themeluesi i saj, e për aq më keq përveç ndarjes së Mitrovicës, ka nënshkruar e miratuar edhe në Kuvend bashkë me Isa Mustafën, marrëveshjen për formimin e “zajednicës” serbe me kompetenca ekzekutive, duke e quajtur edhe veriun e vendit si “tokë e Rankoviqit”, kryetari i të cilës ka kërkuar publikisht ndarjen e Kosovës, dhe nxitur edhe ministren Dhurata Hoxha, që me para të taksapaguesve të varfër, të financojë firmat franceze si ajo Majorelle PR & Events për promovimin e ndarjes së Kosovës edhe në botë. Një parti me kaq shumë mëkate, nuk e ka vendin në politikbërjen e vendit tonë, madje po të kishte prokurori të mirëfilltë dhe drejtësi të njëmendtë, të paktën që nga viti 2018, do duhej t’i ishte ndaluar edhe veprimtaria me ligj, për të paktën 10-20 vitet e ardhshme, apo përderisa të vërtetohej nga ekspertët adekuatë, se veprimi i saj nuk paraqet më rrezik për shtetin e Kosovës”, shprehet më tej Qarri.
“Udhëheqësit e vjetër në kryesinë e PDK-së, janë bërë tepër anakronikë dhe aq “dè-modè”, sa që edhe sot vazhdojnë t`ia gërditin jetën popullit të Kosovës, duke kërkuar ndarjen e saj dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë fashiste, si Ramë Buja, Vlora Çitaku etj, e jo rrallë herë shfaqet edhe kërkesa e tërthortë perfide, e prodhuesit të idesë për kërkim-azili në Beograd Enver Hoxhaj, i cili paraprakisht pretendon formimin e “zajednicës” me kompetenca ekzekutive, ashtu siç është nënshkruar nga Thaçi e Mustafa, si hap paraprijës, për shkëputjen e Veriut dhe aneksimin e kësaj pjese më vitale të vendit tonë, nga Serbia hegjemoniste”, shton Qarri.
Sopas tij, largimi i Ramë Bujës dhe reagimi i Njazi Kryeziut ndaj Memli Krasniqit, tregon përçarjen e thellë që ekziston brenda PDK-së.
“Kështu që edhe reagimi kaq i “sertë” i ish këshilltarit të Kadri Veselit, Nijazi Krasniqi dhe mënyra e ashpër si ai i bën thirrje me nervozë të lartë e të paekuilibruar, Memli Krasniqit, që ta hap gojën e të flasë pas ikjes së Ramë Bujës, jo vetëm që është reagim i pavend, por edhe dëshmon dëshpërimin e pafund për përçarjet e thella brenda PDK-së, ku tanimë duket të jenë futur në konfrontim të hapur përkrahësit e Kadri Veselit, me ata të kuislingut Hashim Thaçi, dhe të dy krahët bashkë po luftojnë me çdo mjet përpjekjet e kryetarit aktual të PDK-së, për ndarjen nga e kaluara dhe promovimin e tij si lider i ri i partisë. Në fakt Ramë Buja dhe të gjithë ata të cilët edhe sot gjejnë guximin që në emër të PDK-së, edhe para emisarëve të lartë amerikanë si z. Gabriel Eskobar, ta kërkojnë ndarjen e Kosovës, ndryshimin e kufijve të shtetit dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë fashiste, përderisa vet presidenti Joe Biden dhe SHBA-të, janë deklaruar për ruajtjen e kufijve të shtetit të Kosovës, për të cilët është dhënë mendimi pozitiv i GJND-së dhe njohur pavarësia e vendit tonë nga mëse 120 shtete anëtare të OKB-së, jo vetëm që dorëheqjet apo përjashtimet urgjente të tyre nga partia, janë shumë të nevojshme e madje edhe tepër të vonuara, por as që mund të mjaftojnë si akte qoftë edhe vetëm si variant i një zgjidhjeje të përkohshme, ngase njerëz të tillë e kanë vendin në burg dhe pas reformimit të Drejtësisë së kontaminuar nga partitë e inkriminuara politike, këta individë, medoemos do të dënohen për tradhti kombëtare, rrezikim të tërësisë territoriale e kërcënim publik të shtetit të Kosovës, dhe të marrin dënimet më të rënda ligjore për ta kaluar pjesën e viteve të mbetura prapa grilave”, deklaron analisti Qarri.
Por Qarri nuk ndalet me kaq. Ai kërkon që PDK të sanksionohet edhe nga organet e drejtësisë në Kosovë, për shkak të aktivitetit që ka zhvilluar në dëm të Kosovës kjo parti.
“Një parti, udhëheqësi dhe themeluesi i të cilës, bashkë me shokë ndanë Mitrovicën, filluan aventurën e rrezikshme për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e veriut, duke kërkuar po ashtu që nga Austria (Alpbachu), publikisht ndarjen e Kosovës, nxitën ministren për “Integrime” evropiane Dhurata Hoxha, të paguante edhe firmat franceze si Majorelle PR & Events, me paratë e taksapaguesve të Kosovës, për promovimin e ndarjes edhe në botë, madje vet kuislingu Thaçi nuk hezitonte ta quante veriun e vendit tonë edhe “tokë të Rankoviqit”, definitivisht nuk duhet lejuar të veprojë në Kosovën e pavarur. Parti që i vuri fusnotën statusit të Kosovës, shkeli vendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pro pavarësisë së shtetit tonë dhe ktheu Kosovën formalisht në krahinë të Serbisë, e cila madje për një kohë, kryesues të përkohshëm kishte hiq më pak se vet personin që në momentet më të rënda të luftës për liri e çlirim që nga Vjena e Austrisë deklaronte se po fitoi UÇK, ai do të kërkonte azil në Beograd, jo vetëm që nuk meriton të merret kush me të, por sikur të kishte prokurori dhe drejtësi të njëmendtë, kjo parti do të ishte mbyllur që moti dhe ndaluar aktiviteti i saj i dyshimtë, për të paktën në dy dekadat e ardhshme për shkak të tradhtisë dhe veprimeve destruktive kundër popullit dhe shtetit të Kosovës derisa të dëshmohej se një rrezik i tillë për vendin nuk ekziston më”, thekson Qarri.
Siç thotë Qarri, Memli Krasniqi e ka kuptuar se reforimi i PDK-së ndodh me spastrimin e kësaj partie prej disa figurave me të kaluar të dyshimtë.
“Prandaj edhe nëse Nijazi Krasniqi na paska qenë këshilltar i Kadri Veselit, kjo nuk do të thotë hiq asgjë, ka ikur ajo kohë dhe ai përfundimisht duhet ta kuptojë se ku gjendet aktualisht shefi i tij, kurse tani kryetar partie është krejt dikush tjetër i cili bashkë me kryesinë e vjetër të partisë i ka hedhur edhe ish këshilltarët e ish kryetarëve, dhe kryetari aktual natyrisht që e ka kuptuar tanimë se kërkesë e patejkalueshme e kohës, është spastrimi rrënjësor i partisë dhe veçanërisht i kryesisë së saj si nevoja më imediate, e cila duhet të kryhet sa më shpejtë, madje sa më parë aq më mirë për partinë dhe shtetin e Kosovës, që ky popull i shumëvuajtur të shpëtojë nga torturimi sistematik nervor e kleptoman prej tyre, që nga zhvatjet, hajnitë e zaptimet e kundërligjshme të çdo gjëje të vlershme, deri te kërkesat vrastare për ndarjen e shtetit, krijimin e “zajednicës” kundërkushtetuese serbe, dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë së kriminelit Vuçiq, i cili mjerisht duket se ende vazhdon të jetë, shumë joshës për ta”.
Po ashtu, Qarri kërkon përjashtimin e Vlora Çitakut dhe Enver Hoxhajt nga PDK.
“Kështu që përveç përjashtimit të Ramë Bujës, Vlora Çitakut dhe Enver Hoxhajt, PDK nuk mund të pretendojë të reformohet dhe përmirësojë imazhin e saj, pa përjashtimin edhe të ish këshilltarëve e bashkideatorëve të ish udhëheqësve të inkriminuar të PDK-së, të cilët përveçse deshën ta ndanin Kosovën, mbyllën Institutin për mbledhjen e fakteve dhe hetimin e krimeve të Serbisë, madje kërkuan edhe faljen e të gjitha krimeve dhe gjenocidit, të kryera nga Serbia në Kosovë, ata që në Hagë nuk ndodhen për punë të mira dhe as nuk janë akuzuar për vepra humanitare, por për vrasje, tortura e ndalime të paligjshme, ndaj mëse 100 shqiptarëve dhe 3 serbëve, hatanë e veprimeve të të cilëve, mund ta dëshmojë vetëm procesi gjyqësor i Gjykatës Speciale, me epilogun e të cilit mund të turpërohen, jo vetëm shumë këshilltarë e bashkëpunëtorë, por edhe vet kryesia aktuale dhe ato të ardhshme të PDK-së, në qoftë se jo edhe mbarë populli i Kosovës”.
“Me një fjalë, parti që nuk ka mundur t’i zbatojë as marrëveshjet e nënshkruara vet, nga frika se po u hidhërohet Vuçiqi dhe prishet harmonia me Serbinë, nuk ka kundërshtuar organizimin e referendumit të Aleksandër Vuçiqit në vendin tonë dhe nuk ka votuar as vendimin për ndalimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, një parti që akuzohet pothuajse për të gjitha llojet e veprimeve të kundërligjshme edhe brenda në vend, nuk i duhet kujt, është e dëmshme për shqiptarët dhe shtetin tonë të brishtë, ndaj dhe duhet të ndalohet me ligj të paktën për dy dekadat e ardhshme në Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.