




Edhe Brukseli e ka mohuar ekzistencën e dokumentit non-paper që u quajt si kornizë e re për dialogun, i cili u publikua në median online “Albanian Post”.
Zëdhënësi për çështje të jashtme dhe politika të sigurisë të BE-së, Peter Stano ka thënë se ajo që është publikuar, nuk është e vërtetë.
“Zakonisht, ne nuk komentojmë dokumente që publikohen në media të supozuara si të BE-së. S’e komentojmë as autenticitetin e as përmbajtjen, por në këtë rast, ajo që është publikuar nuk është e vërtetë. Kurrë s’e kemi parë një dokument të tillë më herët dhe nuk ka rrjedhur nga ekipi i BE-së për dialogun”, ka thënë ai për Prishtina Insigh, transmeton Gazeta Express.





Gjithashtu, Qeveria Gjermane në një përgjigje për Gazetën Express ka demantuar se qëndron prapa një dokumenti katër faqesh të ashtuquajtur si “kornizë e re” për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që u raportua se iu dorëzua Kurtit dhe Vuçiqit përmes dy top- këshilltarëve të Macron dhe Scholz përgjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd, bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.





Vërtetësia e këtij dokumenti është demantuar edhe nga Qeveria e Kosovës.
Në një konferencë për mediat, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dokumenti i publikuar nuk ka autorësi, duke refuzuar të flas më shumë.
Po ashtu, edhe eksperti austriak dhe eksperti i Ballkanit Perëndimor, Florian Biber ka shprehur dyshime për vërtetësinë e dokumentit të publikuar.
Ai ka thënë se e sheh si shumë të dyshimtë origjinën e rrjedhjes së tij.
“Përmendja e njohjes së Serbisë si lider regjional, nuk kishte fare kuptim”, ka shkruar ai. /GazetaExpress