Kuqi: Burimet janë të sigurta, Kurti është takuar me Trëndafilovën

Anëtarja e PSD-së, Natyra Kuqi, ka thënë se partia e saj është e informuar nga burime të sigurta, se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Kosovë (DhSK), Ekaterina Trendafilova.

Takimi sipas saj është zhvilluar në Hotel “Sirius”, larg mediave dhe shoqërisë civile.

“Sipas burimeve të sigurta, ishin në hotel sirius, ka qenë para një ore në një takim të fshehtë me Albin Kurtin. Nuk kanë marrë pjesë as sigurimat e vet, kanë qenë me distancë fizike më të madhe. Masa të shtuara në hotel “Sirius” kemi parë që nga mëngjesi, por nuk e kemi pritë që do të ketë një konfirmim dhe pranimit të kësaj gjykate nga Albin Kurti”, ka thënë ajo.

Ky takim sipas Kuqit, do të thotë se Kurti është pro Gjykatës Speciale.

“Kryeministri Kurti ishte në takim me Trëndafilovën para një ore, le ta përgënjeshtrojë Kurti. Nuk është në interesin e tij as nuk është kundërshtimi i Gjykatës Speciale, por as nuk është paraqitja publike e takimit. Ai po e konfirmon se është pro kësaj gjykate, dhe nuk ka interesim për ta kundërshtu këtë rehabilitim që po i bëhet luftës së UCK-së nga kjo gjykatë. Burimet janë të sigurta, ishte takim i mbyllur, i blinduar, pa media”, ka thënë ajo në “Five”.

Kuqi tutje ka thënë se takimi është skandaloz, për shkak se sipas është takim jotransparent që e legjitimon Gjykatën Speciale.

Njëjtë ka deklaruar edhe Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj i cili pretendon se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar fshehurazi me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Kosovë (DhSK), Ekaterina Trendafilova.

Ky takim sipas tij, është bërë për ta normalizuar dhe legjitimuar vizitën e saj në Kosovë.

“Pas mesazhit të qartë që qytetarët ia dhanë Trëndafilovës, që n’Kosovë do ta presim veç me protesta, Kurti po përpiqet ta normalizojë atë. Takimi i fshehur larg publikut është përpjekje e dëshpëruar për legjitimim të kësaj vizite. E ka takuar sepse kjo gjykatë po ia mbanë gjallë narrativen për luftën”, ka thënë ai.

“Sot qytetarët e shumtë që ishin mobilizuar për protestë, e detyruan Gjykatën që të dorëzohet nga synimi i saj që t’bëjë propagandë. Ndërsa Kurti, përkundër vullnetit qytetar, e paska ngushëlluar atë, duke i garantuar që Qeveria e tij ia njeh legjitmitetin dhe ia pranon vizitat e propagandën”, ka vijuar ai.

Në fund Molliqaj ka thënë se do t’i tregojnë Kurtit dhe Trëndafilovës që “qytetarët e dojnë dhe besojnë në luftën e vet çlirimtare”.