Oficerët e Shkodrës të dielën u gëzuan, kur në dyert e komisariatit u shfaq një i ri që kërkonte të dorëzonte para. 16-vjeçari, Erind Shkambaj, bëri atë që duhej të bëjnë të gjithë.
Djaloshi mëngjesin e së dielës ishte nisur si çdo fundjavë tjetër, për në punë por rrugës, gjeti një portofol në tokë. Nuk e mori, por mendoi për personin që i takonte portofoli.
Ai i përkiste turistit italian Claudio Perrinella, i cili ishte ndalur në fshatin e Oblikës në Shkodër, ku banon Erindi, për të blerë diçka dhe pastaj portofoli i kishte rënë nga xhepi. Në të ishin karta e identitetit, karta të llogarive bankare dhe një shumë prej mbi 6000 eurosh.
Para për të cilat, djaloshi duhet të punojë për shumë kohë për t’i fituar. Bujaria dhe fisnikëria e 16-vjeçarit u shpërblye 100 euro nga ana e italianit.
Erindi na tregon se në familjen e tij të gjithë janë punëtorë të thjeshtë dhe janë mësuar që çdo gjë ta fitojnë me djersë. Një mesazh fantastik për rininë e sotme.
I riu gjatë javës vazhdon shkollën e mesme ndërsa në fundjavë punon si ndihmës kamarier në një prej restoranteve në qytet. Pasditeve stërvitet fort me ekipin e Shkodrës me ëndrrën se një dite do të bëhet portier i madh.