“Si të thyesh krahun” – rriten kërkimet në Google pas vendimit të Rusisë për rekrutimin e ushtarëve

Kërkimet në Google për “si të thyhet krahu në shtëpi” u rritën në Rusi pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm të popullsisë për të luftuar në Ukrainë.

Presidenti rus tha se rekrutimi do të zbatohet vetëm për rezervistët, me dekretin që hyn në fuqi të mërkurën, raporton Newsweek, përcjell Telegrafi.

Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili foli pas fjalimit të Putinit drejtuar vendit, tha se 300 mijë burra me “përvojë të mëparshme ushtarake” tani do të thirren.

Pas kësaj, kërkimet në Google për “si të thyesh krahun në shtëpi”, shpërthyen në të gjithë Rusinë, duke ndezur spekulime se disa rusë mund të marrin masa ekstreme për të shmangur luftimet në Ukrainë.

Google Trends rendit termet e kërkimit nga zero në 100 gjatë një periudhe kohore, ku zero përfaqëson pikën më të vogël të interesit dhe 100 më shumë.

Reklama
Sipas të dhënave të Trends për shtatë ditët e fundit, ka pasur zero kërkime të regjistruara për “si të thyejmë krahun në shtëpi” në orën 2 të mëngjesit me kohë lindore, kur Putin filloi fjalimin e tij. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që nuk kishte kërkime për këtë kontekst, thjesht shuma ishte aq e ulët sa të dhënat nuk mund të mateshin.

Megjithatë, nga ora 4 e mëngjesit me kohë lindore, kjo ishte rritur në 38 nga 100 të mundshme, duke treguar një rritje dramatike në kërkimet për frazën. /Telegrafi/