Albin Kurti dje ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, duket se jo të gjithë në partinë e tij janë të kënaqur me kandidaturën e tij.
Bashkëpartiaku i tij, i cili ka kohë që është shprehur i pakënaqur me LVV-në, Haki Abazi, postoi një mesazh jo fort të këndshëm ditën që Kurti shpalli kandidaturën.
“Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, shkroi Abazi krahas një fotografie e cila ishte bërë në shtator të viti 2018 derisa kjo parti po përgatitej për protestë.
“Këtu jemi në përgatitjen e protestës më të madhe në historinë e pasluftës “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”. Këmbën e thyer jam ngjitur në podium dhe kam folur për domosdoshërinë e mobilizimit qytetarë për ta mbrojtur vendin dhe demokracinë”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Haki Abazi ka kohë që ka shprehur pakënaqësitë e tij me Lëvizjen dhe qeverisjen Kurti. Në media madje u raportua edhe për largimin e tij nga kjo parti.
Abazi që është deputet i kësaj partie, kishte dhënë dorëheqje edhe nga anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike. Ky komision ishte propozuar nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.
Vetë Abazi kishte deklaruar se kur nuk pajtohet me qëndrimet e grupit të tij parlamentar apo edhe të partisë në përgjithësi e thotë lirshëm dhe se “e ka të rëndësishme të mbrojë demokracinë e brendshme”. “Jam i pakompromis për këtë”, kishte thënë Abazi.