




“Beogradi dhe Kremlini duhet të mendojnë dy herë para se të veprojnë në Kosovë”. Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një interviste në CNN me gazetaren e mirënjohur Christiane Amanpour për gjendjen e sigurisë në Ballkan dhe raportet e brishta me Serbinë.
Sipas tij, “Serbia nuk është demokratike dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç si një autokrat vendos për çdo gjë në Serbi”, ndërsa shpreson për një marrëveshje me Serbinë.





“Shpresoj që Brukseli ta vlerësojë e përfundimisht në javët e muajt e ardhshëm t’i afrohemi marrëveshjes me qendër njohjen e ndërsjellë. Pavarësia e Kosovës po ashtu po konfirmohet nga shumica e shteteve në botë që na njohin, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Debati për ligjshmërinë e pavarësisë sonë ka mbaruar. Ajo që duhet rregulluar është marrëdhënia anormale mes Kosovës e Serbisë. Serbia nuk është demokraci”
Kurti theksoi se e ka lejuar vizitën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, në Kosovë për t’i treguar se Kosova është një vend normal dhe demokratik.
“Unë e kam lejuar kryeministren serbe Ana Bërnabiq që ta vizitojë veriun e Kosovës dhe unë shpresoj se ata e shohin se Kosova është një vend normal dhe më demokratik sesa vetë Serbia”.
Kurti deklaroi se nuk do të lejohet themelimi i një republike serbe në Kosovë, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë.
“Kosova nuk do të lejojë një lloj të Republikës Serbe në Kosovë. Nuk kam vullnet të përfshihem në një marrëveshje për të kompensuar humbjet e Serbisë në regjimin e Millosheviçit, por po për përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës. Shpresoj që Brukseli do ta vlerësojë këtë dhe ne do ta arrijmë një marrëveshje të njohur legalisht, të qendërzuar në njohje reciproke”, ka deklaruar Kurti.





Ai ka shtuar se edhe pse Kosova nuk është pjesë e NATO-s, trupat e saj janë të pranishme në Kosovë.
“Serbia refuzon t’i pranojë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Serbia nuk është vend demokratik, është një regjim. Situata në Ballkanin Perëndimor është në rrezik. Ne jemi duke e forcuar sistemin tonë të mbrojtjes duke ndarë më shumë buxhet për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “ne varemi në sigurinë e amerikanëve”.