Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të hënën e 19 shtatorit tha se Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz sollën disa letra në Beograd gjatë vizitës së tyre të fundit, por ky i fundit “nuk donte ta pranonte këtë letër”.
Kjo situatë, për analistin serb, Dushan Janjiq, paraqet një histori të ngjashme me atë të vitit 1999 kur pushtetin në Serbi e ushtronte Slobodan Milosheviq.
Ai kujton kohën kur Millosheviq kishte refuzuar ultimatumin e sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Holbrooke, që të ndalonte atë çfarë kishte nisur në Kosovë ose për ndryshe, NATO do të bombardonte Beogradin.
“Në fund të fundit, Serbia në të kaluarën kujton një situatë të ngjashme dhe është e lidhur me Sllobodan Millosheviqin dhe Richard Holbrooke, sekretarin e shtetit të SHBA-së në atë kohë”, tha Janjiq për të përditshmen serbe ‘Danas’.
Janjiq këtë veprim të presidentit serb e cilëson si “trik të mirë propagandistik”, por megjithatë “nuk prodhon pasoja tragjike” sepse sipas tij, kjo gjë nuk do të thotë domosdoshmërisht se Vucic do të mbetet akoma në lojë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka pranuar se ka diskutuar me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për “kornizën e re” për dialog të publikuar nga Albanian Post të dielën.
I pyetur “kornizën e re” Vuçiç tha se kur Lajçak ishte atje, “nuk donte ta merrte letrën, të cilën e lexoi”.
“Nuk mund të them nëse gjithçka që është publikuar është e saktë, nuk më kujtohet gjithçka është shkruar në ato katër faqe. E dija që nuk duhej ta merrja atë letër”, deklaroi Vuçiç.
Ai tha se do të kishte probleme edhe nëse do ta pranonin propozimin e Francës dhe Gjermanisë, por do të kishte probleme edhe nëse nuk e pranojnë.
“Nëse e pranojmë atë propozim, do të thotë se kurrë nuk do të mund ta përjashtojmë Kosovën nga OKB-ja edhe pse nuk kërkohet njohja formale. Nëse ky është një problem i vogël, nuk e di se çfarë mund të jetë më i madh”, theksoi Vuçiq.