Do të luftojmë për Kosovën”. Kjo është vetëm një prej shumë deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili në vazhdimësi po e kërcënon Kosovën.
Kërcënimet e shpeshta dhe të vazhdueshme, janë alarm për qytetarët e Kosovës, se me të vërtetë mund të ndodh një sulm i till nga Serbia e i përkrahur nga Rusia.
Për kërcënimet dhe një luftë të mundshme të shqiptarëve me Serbinë, po flet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai po parashikon se mund të ndodh kjo, madje me deklaratat e kryeminsitrit është pajtuar edhe gjenerali Ramadan Qehaja.
Qehaja në një postim në Facebook ka thënë se, armatosja e Ushtrisë serbe me armatim kryesisht ofenziv nga Rusia e së fundi edhe nga Kina e tejkalon nevojën e mbrojtjes së Serbisë, kjo bazuar në nivelin real e faktit të rrezikshmërisë në rajon.
Sipas tij, pretendimet e hapura të krerëve të Serbisë, janë argumente shtesë në favor të tezes që sulmi ushtarak nga Serbia nuk mund të përjashtohet.
Për këtë çështje, analisti politik Sulejman Mehazi thotë se kërcënimet e Vuçiqit dhe paralajmërimet e Kurtit e përshpejtojnë procesin e zgjidhjes së problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Dialogimi i dy palëve, Kosovës e Serbisë, nuk mund të vijë me monologje, por me konflikte, konfliktet dypalëshe jo vetëm që ofrojnë dialogje, por çojnë edhe proceset shtetërore përpara, gjatë luftës së Serbisë në Kosovë, UÇK-ja hyri në konflikt me ushtrinë, policinë dhe paramilitarët serbë, ky konflikt detyroi dialogimin e palëve në Rambuje, e cila ndau shapin politik serb brenda sheqerit politike të Kosovës.
Kërcënimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, ndaj Kosovës, po dhe paralajmërimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për një luftë të mundshme vetëm që përshpejtojnë procesin e zgjidhjes së problemit për njohje reciproke të dy shteteve fqinje”, thotë Mehazi për gazetën “Bota sot”.
Profesori thotë se, veprimet qeveritare të Albin Kurtit me rastin e reciprocitetit të letërnjoftimeve jo që detyroi Vuçiqin të dorëzohet, por intervenuan edhe SHBA-ja dhe BE-ja në të mirë të Kosovës.
“Principet e fuqishme politike kundërshtuese të kryeministrit të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë janë të papërshtatshme ndaj Serbisë, aq sa detyron Vuçiqin t’i kërcënohet qeverisë së Kosovës me luftë, e në anën tjetër kryeministri i Kosovës jo që nuk i ik kësaj lufte, por është i gatshëm dhe të përballet me këtë luftë që e dëshiron Vuçiqi. Këto kërcënime të Vuçiqit dhe Kurtit, ndaj njëri tjetrit, vetëm që do jenë konflikte politike e kurrsesi konflikte armatosjesh, Albin Kurti duke parë rrethanat e luftës ruse dhe përkrahjen e Vuçiqit ndaj Putinit me anë të politikës konfliktuoze pret nderhyrjen e BE-së dhe SHBA-se në të mirë të Kosovës”, pohon ai.
Mehazi tregon edhe formulën me të cilën do të zgjidhet konfliki Kosovë, Serbi.
“Kryeministrit Albin Kurtit i konvenon konflikti me serbët kriminel të veriut në formën e “formulës” kroate në Knin, për shkak se ky konflikt i armatosur do zgjidhte njëherë e përgjithmone problemin e përhershëm te sovranitetit të Kosoves. S’ka zgjidhje tjetër me Serbinë përveç “formulës” kroate”, përfundon Sulejman Mehazi.