Ahmeti: Shtatë politikanë të Kosovës janë paralajmëruar për atentat ndaj tyre, Limaj njëri nga ata

Gazetari dhe komentatori politik, Arben Ahmeti ka thënë se shtatë politikanë të Kosovës që ndërlidhen me UÇK’në janë të paralajmëruar për atentat ndaj tyre, transmeton Gazeta Metro.

Ai ka zbuluar se njëri prej tyre është kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Sipas tij këtë informatë ata e kanë marrë para dy javësh.

“Aktualisht, shtatë politikanë të Republikës së Kosovës, personalitete të rëndësishme që ndërlidhen me UCK-në, janë të paralajmëruar për planifikim atentati ndaj tyre, aktualisht në ditën e sotme kur po flasim. Para dy jave e kanë marrë informatën, Fatmir Limaj është njëri prej tyre”, tha Ahmeti në Politiko.

Kujtojmë se sot u raportua se ka ekzistuar një plan për vrasjen e Kurtit në vitin 2021 nga mediat në Shqipëri, e një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës se një plan për ekzekutimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar ekzistencën e planit për vrasjen e Kurtit në vitin 2021.

Në një njoftim për media, qeveria tha se institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e atentatit.

“Përgjigje në pyetjet tuaja rreth raportimit në media për një plan për atentat ndaj Kryeministrit Kurti në vitin 2021: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në njoftim.

Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik, ka thënë qeveria të hënën.

Ndryshe sot, A2news.com, ka raportuar për një plan të tillë ku thuhej se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument i bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.