Profesori Milazim Krasniqi i doli në mbrojtje kryeministrit Kurti, pas kritikave që mori në lidhje me deklaratën për shpërthimin e një lufte.
Krasniqi në një postim në Facebook tha se kryeministri Kurti nuk duhet të fajësohet kur flet për rrezikun e luftës.
“Albin Kurti nuk duhet të fajësohet kur flet për rrezikun e luftës. Rreziku i luftës vërtet është potencial, sepse Serbia e ka atë plan dhe Rusia po e nxitë në atë drejtim. Vetë fakti që presidenti serb tha pardje në Bielinë se nuk do ta japë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës, de fakto është qëndrim luftënxitës”, deklaroi profesor Krasniqi.
Postimi i plotë
Albin Kurti nuk duhet të fajësohet kur flet për rrezikun e luftës. Rreziku i luftës vërtet është potencial, sepse Serbia e ka atë plan dhe Rusia po e nxitë në atë drejtim. Vetë fakti që presidenti serb tha pardje në Bielinë se nuk do ta japë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës, de fakto është qëndrim luftënxitës. Albin Kurti duhet të mbahet përgjegjës për tjetër gjë: ai e ka obligim ta shmang rrezikun nga planet serbe e ruse të luftës. Ajo është detyra e tij. Si fillim, duhet të gjejë rrugë ta shmang problemin e targave, sepse ai është kurth. Dhe të fokusohet te integrimi i serbëve dhe mbyllja me marrëveshje e çështjes së bashkësisë së komunave serbe, në pako me një marrëveshje ndërkombëtarisht obligative. (E qartë është që njohja nuk është në rend dite.) Ai duhet ta kuptojë se edhe në BE mund të ketë shtete e politika që duan luftë, për ta zhbërë shtetin e Kosovës, për idiotizmat e veta. Pra, Kurti duhet të alarmojë për rrezikun nga Serbia, por duhet të punojë për ta shmangë me çdo kusht atë rrezik, e jo të futet në skemën e konfliktit, i cili i duhet Rusisë, paçka se edhe serbët lokalë dhe Serbia do të ishin dëm kolateral.