Scholz: Gjermania është e gatshme për një rol udhëheqës ushtarak në Evropë

Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi këtë të diel se Gjermania është e gatshme për një rol udhëheqës ushtarak për të garantuar sigurinë e Evropës.

Deklaratën, Scholz e dha gjatë një konference ushtarake në Berlin, ku theksoi se sulmi rus ndaj Ukrainës është një pikë kthese në histori.

Sipas tij, lufta ndryshoi situatën sa i takon çështjeve të sigurisë dhe e bëri të nevojshme që Gjermania të forconte ushtrinë e saj.

“Gjermania është e gatshme të marrë një rol udhëheqës, të marrë përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit tonë. Miqtë dhe partnerët evropianë nuk duhet ta shohin këtë qëllim si kërcënim”, u shpreh ai.

Disa ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë, Scholz ka ndarë 100 miliardë dollarë për avancim të mbrojtjes gjermane.