Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare ka qenë e ftuar Ana Tafili e cila ka sjellë partnerin e saj italian, për ta falënderuar për mbështetjen që i ka dhënë kur asaj iu desh që të luftonte me kancerin. Edhe pse është në fazën e tretë të sëmundjes, Ana nuk e humb kurrë shpresën.
Pasi u diagnostikua me ka ncer, ajo ka pasur një jetë tepër të vështirë, por me mbështetjen e Masimos ajo e ka përballuar mjaft mirë duke i dhënë dhe forcë për të dashur jetën sa më shumë. Kur erdhi në studio, Masimo u shpreh i habitur sepse ai nuk njeh asnjë në Shqipëri që ta ftojë në emision dhe mendon se ndoshta mund të jetë dhe policia.
Ana: Unë sot kam ardhur këtu sepse në 2020 kur mua më erdhi ajo telefonatë e rëndë që më thanë se ditët e tua kanë mbaruar, unë i kërkova vetëm një amanet Masimos. Unë nuk isha e martuar në Itali dhe djali im ishte pothuajse jetim, i kërkova që ta hidhte në emrin e vetë dhe të bëhej babai i djalit tim që unë të ikja e qetë. Më tha nuk ka diskutim që unë e bëj, unë jam babai i Fabios, megjithatë edhe me dokumente e bëj, por në zemrën time Fabio është fëmija im.
Unë këtë nuk e harroj kurrë. Nuk harroj shumë gjëra, prandaj e kam sjellë, ta falënderoj me gjithë zemër. Nuk harroj kur unë ndryshova. Isha masa 42 dhe arrita 50 dhe mbulova të gjitha pasqyrat e shtëpisë sepse nuk arrija ta shikoja veten. Nuk kisha më flokët, më kishin rënë komplet. Më vinte shumë zor ta shikoja veten, kurse ai vinte nga puna se punon larg, më pëshpëriste në vesh, më thoshte ti je gruaja më e bukur në botë dhe unë jam i lumtur dhe me fat që të kam takuar.
Ardit Gjebrea: Nga 2020 deri në 2022, si kanë qenë këto dy vite ndërkohë që mjekët të thanë ti i ke ditët e numëruara, ndërkohë po kalojnë vite dhe ti je shumë mirë.
Ana: Në Milano më tha për fat të keq që ti nuk ke më jetë, doktoresha e Riminit, më mori në telefon dhe më tha çfarë do bësh? Do rrish e qetë në shtëpi pa pasur vështirësi me ilaçe, apo do e provosh edhe pse mendoj që kimio nuk do na bëjë përmirësime? Unë i thashë në qoftë se ka edhe 1% mundësi dhe shpresë që unë të jetoj, unë do luftoj deri në fund. Unë kam vendosur të luftoj gjithmonë, të jem në këmbë gjithmonë dhe me buzëqeshje gjithmonë. Unë kam nxjerrë nj frazë që kanceri është alergjik i buzëqeshjes.
Ana tregon se është aktive në rrjetet sociale dhe qëllimi i saj i vetëm ka qenë që t’i jepte mesazhe dhe këshilla të gjitha grave, duke i informuar për shenjat dhe simptomat e këtij kanceri që ajo vuan, pasi nuk është shumë i njohur dhe i përhapur. Ajo nuk mendonte se do e ndiqnin kaq shumë njerëz dhe tregon se video e saj ka arritur mbi 1 milion në të gjithë botë. Ana tregon se i vinin mesazhe nga e gjithë bota duke i thënë se i ka thënë shumë forcë me këtë mesazh që ajo ka përcjellë. /
Ardit Gjebrea: Ju kë njihni në Shqipëri që mund t’ju ketë ftuar në studio?
Masimo: Unë në Shqipëri nuk njoh asnjë të jem i sinqertë. Shpresoj vetëm që mos jetë policia që mund të më ketë sjellë këtu.
Ardit Gjebrea: Po pse çfarë ke bërë në Shqipëri që të të thërrasë policia?
Masimo: Shpresoj asnjë gjë. Nuk e di kush mund të ma ketë dërguar këtë ftesë me thënë të drejtën.
Kur Masimo e shikon Anën në ekran thotë se është gruaja e tij dhe emocionohet. Ana e falënderon atë për vullnetin dhe mbështetjen që i ka dhënë prej kaq shumë kohësh dhe nuk ia ka lëshuar kurrë dorën.
Ana: Të falënderoj kur më ke larë si një fëmijë të vogël, kur mua më vinte zor dhe qaja. Ti më thoshe unë jam i lumtur se të shikoj përditë, kështu që e kam kënaqësi të laj gruan time. Kur të zinte gjumi në makinë, kur prisje jashtë spitaleve sepse prej Covidit, nuk të lejonin të hyje brenda dhe ti ishe i detyruar të rrije në makinë pasi punoje gjithë natën dhe të zinte gjumi.
Për momentet që unë mbuloja pasqyrat dhe ti doje t’i zbuloje se thoje se je gruaja më e bukur në botë dhe duhet ta shohësh veten që je e bukur dhe e fortë. Të kam sjellë këtu që të të them 1 milion herë të tjera dhe në 1 milion herë të tjera, unë do të të zgjidhja po ty.
Masimo: Të dua vogëlushe. Jam unë ai që duhet të falënderoj Zotin, që kam në krahë një grua të mrekullueshme si ti. Ti je ajo që më jep forcën të eci përpara. Të dua shumë.