Alpinisti, Alain Robert, njihet si Spiderman francez dhe është ngjitur në disa nga ndërtesat më të larta në planet, shpesh pa leje duke u futur në telashe edhe me autoritetet. Alain muajin e kaluar mbushi 60 vjeç dhe për ta festuar ditëlindjen e tij, ai donte të ngjitej në një ndërtesë 48-katëshe, 187 metra në Paris. Lëvizja e tij kishte edhe karakter simbolik. Spiderman francez donte të tregonte se të mbushësh 60 vjeç, që është edhe mosha e daljes në pension në Francë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se është rritur.
I veshur me të kuqe, Roberti ngriti krahët duke arritur majën e ndërtesës prej 187 metra duke dhënë një mesazh motivues. “Dua t’u dërgoj njerëzve mesazhin se të mbushësh 60 vjeç nuk është asgjë. Ju ende mund të luani sport, të jeni aktiv dhe të bëni gjëra të mrekullueshme”, tha ai, raporton protothema.gr.
Në fakt, ai zbuloi se këtë vendim e kishte marrë disa vite më parë dhe se nuk ishte një ide e nxitur e momentit. “I kisha premtuar vetes disa vite më parë që kur të mbush 60 vjeç do të ngjitem sërish në këtë ndërtesë të lartë, sepse 60-ta është viti i pensionit në Francë”, tha ai.
Roberti gjithashtu donte të bënte ngjitjen për të rritur ndërgjegjësimin për nevojën për veprim klimatik, pasi ishte ngjitur më parë në Tour Total në disa raste.
Ai filloi të ngjitej në vitin 1975, duke u stërvitur në brigjet shkëmbore pranë qytetit të tij të lindjes. Roberti filloi të ngjitej vetë dy vite më vonë në 1977 dhe që atëherë, ai është ngjitur në mbi 150 ndërtesa të ngjashme me kullat në botë, duke përfshirë Burj Khalifa në Dubai, e cila është gjithashtu ndërtesa më e lartë në botë, Kulla Eiffel dhe Ura Golden Gate në San Francisko. Ngjitja e tij shumë herë ka përfunduar në komisariat, pasi ai është arrestuar. Kjo sepse ai ngjitet pa parzmore, duke përdorur vetëm duart, një palë këpucë ngjitjeje dhe një qese pluhur shkumës për të fshirë djersën. Në tetor 2018, ai u arrestua pasi u ngjit në Kullën Salesforce 202 metra në Londër pa litar ose pajisje sigurie.