Çfarë po ‘kurdis’ Arabia Saudite këtë radhë dhe çfarë përfiton ajo duke përkrahur Europën dhe antagonizuar SHBA-në?
Kohët e fundit, Presidenti Joe Biden bëri një kthesë madhështore në politikën amerikane ndaj Arabisë Saudite.
Uashingtoni shkoi praktikisht nga përshkrimi i Arabisë Saudite si një ‘shtet i padëshiruar dhe non-grata’ në realizimon e takimeve të njëpasnjëshme të presidentit Joe Biden, i cili nuk ka reshtur së lobuari me Princin Mouhammad bin Salman për të rritur eksportet e naftës.
Praktikisht, SHBA po ‘i lutet’ Arabisë që kjo e fundit t’i shesë asaj më shumë naftë, dhe deri tani duket se këto tentativa kanë qenë tërësisht të pasuksesshme.
Javën e shkuar, Arabia Saudite bëri një lëvizje akoma edhe më të drejtpërdrejtë kundër Shteteve të Bashkuara.
Ministri i energjisë, Abdulaziz bin Salman deklaroi se muajin e ardhshëm, Arabia do të ulte çmimin e naftës për blerësit nga Evropa dhe Azia, njëkohësisht duke i rritur ato për fuçitë e naftës që do të dërgohen drejt Shteteve të Bashkuara.
Blerësit në Azi do të paguajnë rreth $4 dollarë më pak për fuçi në tetor ndërsa dërgesat në Evropën Veriore dhe Mesdhe do të kushtojnë rreth $2 dollarë më pak.
Ndërkohë, blerësit amerikanë do të duhet të paguajnë $0.50 dollarë më shumë për çdo fuçi naftë saudite.
Cila është loja e Arabisë Saudite?
Masa për të ulur çmimet e naftës për Azinë dhe Evropën erdhi një ditë pasi organizata OPEC+ tha ditën e hënë se do të ulte prodhimin ditor me 100,000 fuçi këtë tetor.
Kjo në vetvete ishte një goditje kundër Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë muaj të tërë që lobojnë me organizatën arabe për të rritur prodhimin e saj ditor të naftës.
Por, sigurisht Rusia është një faktor kyç në të gjithë këtë
Pas ofensivës së saj kundër Ukrainës, nafta ruse u refuzua kategorikisht nga Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara, pas sanksioneve që këto të fundit prezantuan kundër saj.
Megjithatë Rusia ishte në gjendje të gjente rrugë të reja në tregjet aziatike dhe ekonomitë kryesore si Kina dhe India, të cilat rritën ndjeshëm importet e tyre të naftës së papërpunuar ruse.
Prania më e madhe e Rusisë në tregjet aziatike kërcënon pozicionin e Arabisë Saudite, blerësit më të mëdhenj të së cilës janë të gjithë në Azi si – Kina, India, Koreja e Jugut dhe Japonia.
Madje në gusht, Rusia e zhvendosi Arabinë Saudite për t’u bërë furnizuesi i dytë më i madh i naftës në Indi.
Pra, në këtë kontekst, ulja e çmimeve të Riadit për shitjet e naftës së papërpunuar drejt tregjeve aziatike duhet parë si një përpjekje e tij strategjike për të rifituar terren në këtë rajon duke intensifikuar konkurrencën me Moskën.
A është atëherë Rusia armiku më i ri i Arabisë Saudite?
Jo, Rusia dhe Arabia Saudite janë larg të qenit “armiq” në këtë pikë.
Ata duhen parë më shumë si: partnerë të ngushtë biznesi.
Në fakt, Arabia Saudite po e blen prej kohësh naftën ruse (edhe pse nuk ka nevojë për një pikë të vetme).
Ajo po përfiton nga çmimi i lirë i naftës ruse duke e përdorur atë për nevojat e saj të brendshme, ndërsa vazhdon të shesë naftën e saj drejt SHBA-së me çmime gjithnjë e më të larta.
Çmimet më të ulëta për Evropën, ndërkohë, duket se kanë ardhur si një gjest i vullnetit të mirë të Arabisë, në një kohë kur të gjitha vendet e kontinentit përballen me një krizë energjetike. Edhe pse, kjo në vetvete mund të jetë një tjetër strategji ekonomike e sauditëve.
Diçka është e qartë në këtë pikë, që Arabia Saudite po rrit çmimin e naftës drejt Shteteve të Bashkuara për të kompensuar uljen e çmimeve të saj në tregjet aziatike.
Shkak për këtë sigurisht ishte shfaqja e Rusisë si një konkurrent i fortë në këtë rajon.
Për të mos humbur dominancën e saj në Azi, Arabia Saudite po godet dollarin amerikan dhe vetë SHBA-në.
Ndërkohë, Rusia duket se ka gjetur një mënyrë jo vetëm për t’i shpëtuar sanksioneve por edhe për ta dëmtuar në mënyrë indirekte Perëndimin, i cili tashmë është i detyruar ta blejë më shtrenjtë dhe në sasi më të vogla naftën arabe.