




Shqipëria për herë të parë në histori ka nga sot një medalje ari në mundje. Në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Beograd, Zelimkhan Abakarov ka mundur amerikanin Gilman me rezultatin 7-1, duke ngritur në fund flamurin kuqezi.
Mundësi çeçen me pasaportë shqiptare ishte pretendenti kryesor, duke dominuar totalisht sfidën e peshës deri në 57 kilogramë. Sportisti i Tiranës ka bërë që të këndohet himni shqiptar në mes të Beogradit, me Shqipërinë që ka një kampion bote në mundje.





“Në majë të Botës dhe medalje ari për mundjen shqiptare. Zelimkhan Abakarov fiton në finalen e madhe, duke munduar amerikanin Thomas Patrick Gilman dhe valëvitur flamurin kuqezi në mes të Beogradit. Mundësi shqiptar dominon në çdo sekondë të ndeshjes, duke e merituar plotësisht medaljen e artë e duke u shpallur kampion Bote në peshën 57 kg.
E jashtëzakonshme, sepse për herë të parë në mundje, një sportist shpallet kampion Bote për Shqipërinë”, njofton KOKSH.