Ish-drejtori i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, thotë se situata energjetike në Kosovë është më komplekse nga sa shihet për shkak se ka trashëguar njësitë e vjetra gjeneruese dhe varet nga importi në masën 15%.
Duke folur për MCN Tv, ai deklaroi se këtë vit e karakterizon mos kryerja e disa remonteve në Kosovës, duke hyrë me megavat mangët ose me shkurtesa.
“Në njësinë A5, nuk janë kryer remontet e duhura dhe nuk janë marrë hapa nga përgjegjësit për remont, pasi nga pranvera e hershme e deri në vjeshtë, bëhen përgatitje. Sezoni fillon nga tetori deri në prill dhe kemi rënie të temperaturave, kur përdoret energjia elektrike për ngrohje, kemi kërkesë të lartë konsum. Është tepër vonë që qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë të ndihmojnë njëra-tjetrën, për arsye se Kryeministri është keqinformuar ose keqkëshilluar”, ka thwnw Gjukaj.
Shqipëria importon për vete mbi 35% të energjisë dhe në gjashtëmujorin e fundit e ka trefishuar, për arsye se prodhimi në Shqipëri varet nga reshjet.
Kosova importon 15% të energjisë ndërsa vitin e kaluar ka importuar 19% të konsumit, ndaj, shton, Gjukaj, themi se është shumë vonë të mbështetemi.
“Ka vite të tëra që ekspertët e fushës ngrenë zërin dhe është e pakuptueshme se Kosova importon 100 milionë euro në vit, Shqipëria 300 milionë euro, në një kohë që mund të investohen në kapacitete të përbashkëta, që të ulet varësia ndaj importeve”, thekson ai.
Për Kosovën deklaroi se është e pakuptimtë se si përgjegjësit e kompanisë publike nuk kanë marrë masa që nga fundi i vitit të kaluar ka qenë me defekt dhe nuk është bërë në remont dhe tashmë që po hyjmë në fazën e dimrit, remonti mund të jetë shumë vonë.
“Kosova që nga viti 1984, sektori publik them, ai që menaxhohet nga shteti, nuk ka burime. Kanë qenë disa projekte që adresonin furnizimin e rregullt, projekti Kosova e Re, i cili për shumë arsye, herë të pakuptimta, të moskordinuara, pa u dëgjuar ekspertët dhe analizë të thellë, ishte dështuar. Të gjitha vendet kanë marrë masa të reduktojnë burimet e tyre dhe ti përdorin në dimër. Nga ana jonë nuk kemi parë, përkundrazi kemi parë abuzim, ku njësitë nuk kanë shkuar në remonte, që të ishin gati për dimrin. Është tepër vonë, ka kaluar mesi i shtatorit dhe prej tetorit jemi përgatitur për sezonin e lartë, masat duhet të ishin marrë shumë më herët në aspektin e përgatitjes së konsumatorit”, thotw ish drejtori i KEK-ut.
Tutje ai shton se konsumatori është ai që kërkon energjinë më të lirë të mundshme dhe gjithë ata që ngrohnin hapësirat e banimit jashtë energjisë, me dru, mazut, a lëndë djegëse, i konvertuan në energji elektrike, kemi rritje të normës së konsumit.
“Është vonë se konsumatorët janë të papërgatitur, Kosova nuk ka rrjet të gazit dhe karburante të tjera. Një grup i konsumatorëve janë drejtpërdrejtë të varur nga konsumi i energjisë elektrike. Po hyjmë në një dimër të vështirë ose të zymtë, duke u lutur që temperaturat të mos shkojnë shumë në minus, që energjia të jetë e mjaftueshme. Energjinë e importit nuk e shoh si opsion pasi çmimet kanë arritur pikun”.
I pyetur lidhur me vendimin e qeverisë së Shqipërisë për shtrenjtimin e energjisë për të gjithë abonentët që tejkalojnë fashën prej 800 kilovat, duke hequr paralele nëse një vendim i tillë është marrë në Kosovë, Gjukaj mohoi.
Ai tha se Kosova ka koston më të ulët të energjisë në rajon dhe më gjerë me 7 cent për kilovat.
Lidhur me masat që duhet të merren, për familjet në nevojë dhe ato që nuk kanë mundësi të përballojnë, është që qeveritë e dy vendeve të ndërhyjnë për përballimin e kostove të tyre.